Anësori i Paris Saint-Germain, Ousmane Dembélé, ka zbuluar objektivat e tij ambicioze për një verë vendimtare, si në nivel klubesh ashtu edhe me kombëtaren franceze.
Ylli i PSG-së e ka bërë të qartë se uria e tij për sukses nuk është shuar, teksa synon një tjetër Ligë të Kampionëve, një tjetër Kupë Bote me Francën dhe, pse jo, një tjetër “Top të Artë”.
Në një intervistë për emisionin Rothen s’enflamme të RMC, Dembélé foli hapur për dëshirën për të vazhduar fitimin e trofeve më të mëdhenj në futboll. Pas suksesit të madh individual dhe kolektiv, francezi tashmë synon një “dopietë të trefishtë” historike në vitin 2026: Ligën e dytë të Kampionëve, Kupën e dytë të Botës me Francën dhe “Topin e Artë” të dytë.
Fituesi i “Topit të Artë” 2025 theksoi se suksesi i skuadrës mbetet prioriteti kryesor, por pranoi se motivimi personal është ende shumë i madh.

“Kur fiton një herë, dëshiron të fitosh disa herë, por natyrisht unë gjithmonë vendos kolektivin në plan të parë”, tha Dembélé. “Gjëja më e rëndësishme është të fitojmë Ligën e Kampionëve. Kam edhe një objektiv që e kam në mendje prej shumë kohësh me kombëtaren franceze: të zhvilloj një Kupë Bote të madhe. Pastaj do të shohim.”
Rilindja e Dembélés në Paris është ndikuar shumë nga trajneri Luis Enrique. Nën drejtimin e spanjollit, anësori është shndërruar në një futbollist më të kompletuar, duke kontribuar këtë sezon me 19 gola dhe 11 asistime në të gjitha garat, ndërsa ka pranuar edhe përgjegjësitë mbrojtëse që kërkon trajneri.
Dembélé thotë se ky zhvillim ka ardhur falë kuptimit më të qartë të rolit të tij në skuadër.
“Përpiqem në çdo top dhe në çdo ndeshje të jap më të mirën nga vetja, ta përmirësoj çdo aksion dhe të jem shembull”, tha ai. “Këto dy vitet e fundit kjo ka funksionuar për mua. Trajneri foli me mua dhe më tha se kam një rol të rëndësishëm për ekipin: të jem shembull, si për lojtarët më të vjetër, ashtu edhe për më të rinjtë. Dua të vazhdoj të jem efikas në ndeshje të vogla dhe të mëdha.”
Pavarësisht thashethemeve të vazhdueshme që shpesh rrethojnë yjet e mëdhenj në “Parc des Princes”, Dembélé ka dhënë një mesazh të qartë për të ardhmen e tij. Ai ndihet i lumtur në projektin që po ndërtohet në Paris dhe nuk ka ndërmend të kërkojë largim në të ardhmen e afërt.
Francezi ka kontratë me PSG-në deri në vitin 2028 dhe duket plotësisht i integruar në klub, si në hierarki ashtu edhe në dhomën e zhveshjes.

“Do të jem 100 për qind i pranishëm sezonin e ardhshëm”, tha Dembélé, duke shtuar se është i lumtur me stafin, presidentin dhe bashkëlojtarët.
Sulmuesi francez ka një uri të madhe për trofe, një cilësi që e ka kthyer në një nga lojtarët më të rrezikshëm të futbollit evropian në dy sezonet e fundit. Për ish-lojtarin e Barcelonës, golat dhe asistimet janë pasojë e natyrshme e mentalitetit konkurrues.
“Kam uri për të shënuar gola, për të dhënë asistime dhe për të fituar trofe”, përfundoi Dembélé.
PSG do të synojë ta mbrojë titullin në Ligën e Kampionëve kur të përballet me Arsenalin në finalen e 30 majit në “Puskás Aréna”. /GazetaExpress/