Cristiano Ronaldo i ka dhënë fund pritjes pesëvjeçare për një trofe madhor, pasi Al-Nassr u shpall kampion i Saudi Pro League për sezonin 2025/26, pas fitores 4-1 ndaj Damac të enjten mbrëma.
Skuadra e Jorge Jesus e mbylli kampionatin në vendin e parë, me dy pikë më shumë se rivali i madh Al-Hilal. Golat e Sadio Manes dhe Kingsley Coman e vendosën Al-Nassr në kontroll, ndërsa Ronaldo e vulosi triumfin me dy gola të bukur në pjesën e dytë.
Al-Nassr nuk ishte gjithmonë në versionin më të mirë në ndeshjen vendimtare të sezonit, por arriti ta menaxhonte presionin. Mane kaloi vendasit në epërsi në minutën e 35-të me një goditje të fuqishme me kokë, duke e dërguar skuadrën në pushim me avantazh.
Në fillim të pjesës së dytë, Coman dha goditjen tjetër të rëndësishme. Ish-anësori i Bayern Munichut kombinoi bukur në krahun e zonës dhe më pas goditi saktë në këndin e largët për 2-0.

Damac reagoi pak minuta më vonë, duke ngushtuar rezultatin me një penallti të realizuar nga Morlaye Sylla. Megjithatë, Ronaldo mori skenën në momentet vendimtare.
Portugezi 41-vjeçar shënoi fillimisht me një goditje të ulët dënimi nga një kënd i vështirë pranë vijës anësore të majtë. Topi kaloi mes disa lojtarëve dhe përfundoi në rrjetë, duke ndezur festën në tribuna.
Më pas, Ronaldo realizoi edhe golin e dytë personal me një goditje të fortë nga afërsia, duke mbyllur ndeshjen në 4-1. Fitorja e Al-Hilal ndaj Al-Fayha me rezultat 1-0 në të njëjtën mbrëmje nuk pati më asnjë ndikim në garën për titull.
Al-Nassr kishte nevojë patjetër për fitore për të mos ia dorëzuar titullin Al-Hilalit. Skuadra hyri në këtë sfidë nën presion të madh, sidomos pas humbjes 1-0 ndaj Gamba Osaka në finalen e AFC Champions League 2 një fundjavë më parë.
Megjithatë, Ronaldo dhe shokët e tij ruajtën qetësinë deri në fund, duke ia rikthyer Al-Nassr titullin e kampionit për herë të parë që nga viti 2019.
Për Ronaldon, ky është trofeu i parë madhor në Arabinë Saudite. Që nga transferimi te Al-Nassr në janar 2023, ai kishte fituar vetëm Kupën e Kampionëve të Klubeve Arabe, një garë që konsiderohet jozyrtare.
Në nivel klubesh, pritja e tij për një trofe madhor kishte nisur edhe më herët. Titulli i fundit i rëndësishëm ishte Kupa e Italisë me Juventusin në vitin 2021.

Pas një sezoni me 28 gola në kampionat, Ronaldo do të kërkojë ta bartë formën e mirë edhe në skenën ndërkombëtare. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” është përfshirë në listën e Portugalisë për Kupën e Botës 2026 në Amerikën e Veriut, ku do të synojë trofeun e vetëm të madh që ende i mungon.
Portugalia e Roberto Martinez do ta nisë fazën e grupeve më 17 qershor kundër RD Kongos, përpara ndeshjeve ndaj Uzbekistanit dhe Kolumbisë. /GazetaExpress/