Andy Robertson ka folur hapur për humbjen tronditëse të shokut të skuadrës dhe mikut të ngushtë, Diogo Jota, duke pranuar se askush nuk mund të përgatitet për një tragjedi të tillë.
Mbrojtësi skocez po bëhet gati t’i japë lamtumirën emocionale “Anfieldit” këtë fundjavë, duke mbyllur një periudhë nëntëvjeçare të mbushur me trofe te Liverpooli.
Robertson do të mbahet mend si një nga mbrojtësit e majtë më të mirë të brezit të tij, por edhe si një figurë me karakter të fortë dhe lidhje të ngushta me bashkëlojtarët. Megjithatë, periudha më e vështirë e karrierës së tij te Liverpooli erdhi korrikun e kaluar, pas ndarjes tragjike dhe të papritur nga jeta të Jotës.
Dy futbollistët kishin ndërtuar një miqësi shumë të fortë, e cila më pas u përjetësua edhe me një mural pranë “Anfieldit”.

Robertson ka treguar barrën e madhe psikologjike që skuadra e Liverpoolit ka mbajtur gjatë vitit të fundit pas humbjes së Jotës. Tragjedia i goditi lojtarët menjëherë pas festimeve për titullin e Premier League në fund të sezonit të kaluar.
“Mendoj se ajo që ndodhi gjatë verës ishte diçka për të cilën askush nuk mund të përgatitej”, tha Robertson në një bisedë emocionale me Ian Wright në The Overlap. “Hera e parë që i pashë djemtë pas ditës së trofeut ishte në avion, rrugës për në funeralin e shokut tonë. Nuk dua që kjo të përdoret si justifikim, por për djemtë ka qenë shumë e vështirë. Në fund të fundit, ne jemi vetëm qenie njerëzore.”
Humbja e Jotës pati ndikim të madh edhe në mënyrën se si klubi e përgatiti sezonin. Stafi teknik dhe ekipi i përgatitjes fizike u detyruan të ndryshonin qasjen tradicionale, duke kuptuar se lojtarët po përpiqeshin të përballonin njëkohësisht ngarkesën fizike dhe dhimbjen personale.

“Për botën e futbollit ishte mjaft e rëndë, por për ne ishte një nga miqtë tanë më të mirë. Ishte shumë e vështirë”, shtoi Robertson. “Pas kësaj patëm një fazë përgatitore të çrregullt. Kishte gjëra që duhej t’i bënim dhe gjëra që duhej t’i respektonim, për shkak të mënyrës se si po përballeshim me pikëllimin. Trajneri dhe stafi i përgatitjes fizike nuk mund të na shtynin shumë fort, shumë herët, sepse edhe ata po kalonin të njëjtën gjë.”
Bota e futbollit mbeti e tronditur nga vdekja tragjike e Jotës, një prej lojtarëve më të rëndësishëm portugezë të brezit të tij. Ai kishte krijuar reputacion si futbollist inteligjent, i gjithanshëm dhe shumë efikas para portës, duke u kthyer në figurë kyçe si për Liverpoolin, ashtu edhe për kombëtaren e Portugalisë.

Pas transferimit te Liverpooli nga Wolves në vitin 2020, Jota luajti rol të rëndësishëm në sukseset e klubit në Premier League dhe FA Cup, ndërsa ndihmoi edhe Portugalinë në skenën ndërkombëtare. Përtej arritjeve në fushë, ai respektohej gjerësisht për profesionalizmin, modestinë dhe lidhjen e fortë me tifozët.
Ndërkohë, Robertson po përgatitet të dalë për herë të fundit në fushën e “Anfieldit” këtë fundjavë, kur Liverpooli pret Brentfordin në ndeshjen e fundit të sezonit në Premier League. Në moshën 32-vjeçare, ai do ta mbyllë një kapitull të lavdishëm në karrierën e tij me “Reds”.

Gjatë nëntë viteve në klub, mbrojtësi skocez ka zhvilluar 344 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar 14 gola dhe dhënë 69 asistime. Ai largohet me nëntë trofe të mëdhenj të fituar, përfshirë dy tituj të Premier League dhe Ligën e Kampionëve. /GazetaExpress/