Vetëm një ditë pasi Ziadin Sela deklaroi se mund të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës nëse pranohen kushtet e tij nga ana e partisë politike VLEN, Bilall Kasami thotë se koalicioni qeverisës nuk ka nevojë për partner të ri. I pyetur nga Televizioni Koha se për çfarë kushtesh flet Sela dhe nëse të njëjtat ua ka kumtuar VLEN-it, Kasami tha se deri tani përveç deklaratave publike të Selës nuk ka pasur komunikim dhe se këto “kushte” Sela nuk i ka adresuar te VLEN.
BILALL KASAMI – VLEN
“Nuk është se i kemi konsideruar ne si të tilla. Janë ata që ne i kemi dëgjuar në opinion që i ka thënë por nuk i kemi konsideruar sepse për momentin nuk vlerësojmë që shumica parlamentare ka nevojë për zgjërim të numrave”.
Kasami shtoi se VLEN tani më është në fazën e zbatimit të marrëveshjeve që i ka pasur me VMRO-DPMNE-në para formimit të Qeverisë.
Kujtojmë që javë më parë, kur kryeministri Hristjan Mickoski u pyet nga TV-Koha në lidhje me bashkëpunimin e mundshëm më Ziadin Selën, ai u përgjigj në mënyrë të çuditshme, “Fytyrën e ruan gjatë gjithë jetës dhe e humb vetëm një herë”. Mickoski tha se bashkëpunimi me partnerët aktualë është korrekt dhe se për momentin nuk ka hapësirë për zhvillim të bisedimeve me parti të tjera.
Deklaratë – HRISTIJAN MICKOSKI – Kryeministër (23 mars 2026)
“Si koalicion kemi bashkëpunim shumë korrekt dhe nuk shoh për momentin hapësirë për bisedime me parti të tjera politike. Sepse do të përsëris, fytyrën e ruani gjatë gjithë jetës, kurse e humbni vetëm një herë”.
Përndryshe pas daljes së Ziadin Selës nga koalicioni i AKI-së së udhëhequr nga BDI-ja, deputetët e Aleancës për Shqiptarët veprojnë në vete. ASH-ja për momentin ka 3 deputetë, vetë kryetari Ziadin Sela, Ilire Dauti dhe Elmi Aziri ndërkaq, deputeti Ilir Demiri vepron si i pavarur.
tag_katrorimaqedoni_2