BDI kërkon hetim për pasurinë e padeklaruar të drejtorit të NOMAGAS, Nedim Rama - Gazeta Express
string(78) "bdi-kerkon-hetim-per-pasurine-e-padeklaruar-te-drejtorit-te-nomagas-nedim-rama"

Maqedoni

Gazeta Express

21/05/2026 11:04

BDI kërkon hetim për pasurinë e padeklaruar të drejtorit të NOMAGAS, Nedim Rama

Maqedoni

Gazeta Express

21/05/2026 11:04

Nga sot, BDI e hap çështjen e pasurisë së Nedim Ramës, dora e djathtë e Izet Mexhitit, i cili në fillim të janarit 2026 u emërua drejtor në NOMAGAS.

Për më shumë se katër muaj, Nedim Rama nuk ka dorëzuar deklaratë për gjendjen pasurore në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Nuk ka deklaruar asgjë, ndërsa posedon shumë.

Kjo është shkelje serioze e detyrimeve për transparencë që i ka çdo funksionar. Kur një drejtor i një kompanie shtetërore për muaj të tërë nuk deklaron pasurinë, hapet dyshimi i bazuar për fshehje interesash, ndikimesh dhe konflikt të mundshëm interesi. KSHPK-ja nuk ka të drejtë të heshtë -duhet menjëherë të hapë lëndë të dytë dhe hetim të plotë për pasurinë e padeklaruar të Nedim Ramës. Sepse tani më ekziston një lëndë, por ende pa epilog.

Lënda e parë e KSHPK-së ka të bëjë pikërisht me Nedim Ramën, hotelierin nga Çairi, siç e quanin mediat, pasi u zbulua se lounge-bar “1SH”, i menaxhuar përmes kompanisë “Near 2015”, pronarë të së cilës kanë qenë Nedim Rama dhe zëvendësministrja Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka marrë pagesa nga Komuna e Çairit për reprezentacion.

E gjithë kjo ka ndodhur në periudhën kur Kaltrina Zekolli Shaqiri ushtronte funksionin e zëvendësministres, ndërsa Nedim Rama ishte këshilltar i posaçëm për financa në kabinetin e Izet Mexhitit në Ministrinë e Mjedisit Jetësor.

Por skandali nuk përfundon këtu. Objekti hotelierik i lidhur me Nedim Ramën ka marrë para publike shumë kohë para se ai të bëhej këshilltar në Ministrinë e Mjedisit Jetësor. Në atë periudhë, Rama ishte sekretar i Komunës së Çairit, në kohën kur komunën e drejtonte Visar Ganiu.

Kjo do të thotë se një kompani e lidhur me një funksionar të lartë komunal ka marrë mjete pikërisht nga institucione të afërta me qendrat e pushtetit ku ai vepronte.

Për më tepër, kompania “Near 2015” nuk ka qenë vetëm përfituese e mjeteve komunale, por ka marrë edhe ndihmë shtetërore përmes Agjencisë për Punësim, nga ku i është ndarë mbështetje financiare për punësime.

Publiku me të drejtë pyet: a janë shndërruar institucionet në servis për njerëzit e afërt të pushtetit dhe a janë përdorur funksionet politike për biznes privat dhe përfitime financiare?

Kjo është shkelje brutale e kodeve etike dhe detyrimeve ligjore për llogaridhënie. Heshtja për gjendjen pasurore dhe rrjedhat e dyshimta të parave hapin dyshim të arsyeshëm për korrupsion sistematik dhe derdhje të parave të Komunës së Çairit në xhepa privatë.

Faktet që deri tani kanë dalë në publik janë bazë e mjaftueshme që KSHPK-ja më në fund të dalë me epilog për këtë rast. E ftojmë Komisionin që pa vonesë ta përfundojë procedurën, të përcaktojë përgjegjësi dhe të dorëzojë iniciativë për ndjekje penale në Prokurorinë Themelore Publike për rastin që lidhet me Nedim Ramën dhe Kaltrina Zekolli Shaqirin.

Për më tepër, KSHPK-ja duhet të hapë edhe lëndë për Nedim Ramën për mosdeklarimin e pasurisë së tij. Dhe gjithashtu të nisë veprime konkrete për të hetuar se si, me pagë komunale dhe këshilltari, ka arritur të krijojë pasuri disproporcionale me të ardhurat e tij.

Kërkojmë hetim urgjent të pasurisë së Nedim Ramës – drejtësia nuk guxon të ndalet para dyerve të funksionarëve. Nëse funksionarët nuk kanë çfarë të fshehin, atëherë le ta deklarojnë pasurinë e tyre. Institucionet duhet të tregojnë se ligji vlen për të gjithë – edhe për njerëzit më të afërt të pushtetit.

Advertisement
Advertisement
Advertisement