Myslimanet në Bosnje kërkojnë më shumë përfshirje në vendimmarrje. Strukturat e bashkësisë islame aty ndryshojnë ngadalë, por në debatet publike gratë nuk dorëzohen.
Kur myslimanët në Bosnje dhe Hercegovinë dynden për namazin e së premtes sheh zakonisht shpesh vetëm burra. Si kudo në vendet myslimane, edhe në këtë shtet të Ballkanit Perëndimor nuk është e zakonshme që gratë të marrin pjesë në lutjen e së premtes në xhami. Por kjo po ndryshon ngadalë, sepse besimtaret myslimane nuk duan më të mbeten të padukshme.
Bosnja është një shtet laik, ku para ligjit burrat dhe gratë janë të barabartë. Në dekadat e fundit janë bërë përpjekje të konsiderueshme për të mbrojtur më mirë gratë nga dhuna dhe për të reduktuar diskriminimin gjinor. Megjithatë, sidomos në tre bashkësitë e mëdha fetare të vendit – atë katolike, ortodokse dhe islame – vazhdojnë të jenë të përhapura norma shoqërore dhe kulturore që pengojnë barazinë gjinore.
Për më tepër, që nga përfundimi i luftës në Bosnje (1992–1995), feja në grupin përkatës etnik ka fituar rëndësi në të gjitha komunitetet e vendit – te boshnjakët myslimanë, serbët ortodoksë dhe kroatët katolikë. Në familjet myslimane, në disa raste mbizotërojnë ende modele shumë konservatore të roleve, sipas të cilave gratë duhet para së gjithash të jenë nëna dhe të kujdesen për familjen, edhe pse realiteti shoqëror tashmë është shumë më ndryshe.
Me Kuranin për të drejtat e grave
“Feministet myslimane luftojnë për të drejtat e grave brenda kornizës islamike të referimit”, thotë sociologia boshnjake Dermana Kuric nga Universiteti i Sarajevës në një bisedë me DW. Shumë prej tyre e bëjnë këtë duke marrë një rol aktiv në shoqëri, pa i vënë hapur në pikëpyetje interpretimet antifemërore të Kuranit.
Kurse gratë myslimane me arsim të lartë përballen në mënyrë të vetëdijshme edhe me qëndrimet e dijetarëve tradicionalë islamikë, të cilat synojnë t’i kufizojnë gratë brenda një roli të nënshtruar në familje dhe në bashkësinë islame. “Për feministet islamike bëhet fjalë për marrëdhënie gjinore që bazohen në autonomi dhe përgjegjësi individuale – në kontrast me kontrollin ose dominimin”, thekson Kuric.
Feministet myslimane boshnjake janë pjesë e një rryme më të gjerë, e cila që nga vitet 1980 ka fituar gjithnjë e më shumë ndikim në botën islame. Ato e lexojnë Kuranin nga një këndvështrim femëror dhe e kuptojnë atë si një mjet fuqizimi për luftën e tyre për më shumë të drejta.
Me përkthimin në gjuhën boshnjake të librit të njohur “Sulltania. Fuqia e grave në botën e Islamit” të sociologes marokene Fatima Mernissi (1940–2015), njëra nga themelueset e feminizmit islamik, studiuesja e çështjeve gjinore Zilka Spahic-Siljak nga Universiteti i Sarajevës ka kontribuar ndjeshëm që idetë e feminizmit islamik të bëhen të njohura në Bosnje.
Interpretimi nga dijetarët meshkuj
“Si edhe fetë e tjera edhe Islami është formësuar nga interpretimi i shkrimeve të tij të shenjta nga dijetarë meshkuj, në kontekstin e përvojave të tyre përkatëse”, thotë Spahic-Siljak. “Përvojat e grave pothuajse nuk përfaqësohen, me përjashtim të disa rasteve të izoluara. Por drejtësia është një parim qendror në Kuran dhe nuk mund të ketë drejtësi nëse gratë nuk janë të barabarta.”
Përveç aktivitetit të saj si ligjëruese në Universitetin e Sarajevës, Spahic-Siljak e ka thelluar këtë temë edhe në universitete në vitin 2021, duke themeluar shkollën online “Feminizmi dhe feja” së bashku me murgeshën katolike feministe Jadranka Rebeka Anic.
Jo justifikim dhunës
Por feminizmi islamik nuk është vetëm një çështje akademike. Në kuadër të një fushate kundër dhunës në familje, Spahic-Siljak në vitin 2023 kritikoi dijetarë islamikë që, duke iu referuar sures 4,34, justifikojnë dhunën e burrave ndaj grave. Një imam me ndikim, Senaid Zajimovic u tregua i hapur për një interpretim të ri të sures. Në një deklaratë teologjike ai theksoi se Kurani nuk duhet të përdoret për të justifikuar dominimin mashkullor dhe dhunën ndaj grave.
“Gjatë dekadave të fundit po shohim që myslimanet po fitojnë më shumë hapësirë brenda komunitetit islamik, thekson” sociologia Dermana Kuric. Mund të jenë hapa të vegjël, por përparimi është i dukshëm. Kështu, gratë po kërkojnë gjithashtu të marrin pjesë në namazin e së premtes. “Formalisht pjesëmarrja e tyre nuk ka qenë kurrë e ndaluar; thjesht ishte një rezultat i kulturës së dominuar nga burrat që ato nuk merrnin pjesë.”
Imame femra jo në rend të ditës?
Edhe në mesin e teologeve po vërehen lëvizje. Edhe pse ende nuk ka asnjë profesoreshë të teologjisë në fakultetet islamo-teologjike të Bosnjës – ekzistojnë të tilla në fusha si gjuhët dhe pedagogjia. Teologet e brezit më të ri janë të përfaqësuara në nivelin e asistenteve në katedra – dhe ekziston shpresa që në vitet e ardhshme ato të avancojnë në pozita profesoresh.
Megjithatë, kërkesa për imame gra ende nuk është në rendin e ditës. Ato ekzistojnë deri tani vetëm në disa komunitete islame në Perëndim, si për shembull në SHBA, që nga viti 2005, kur studiuesja e Islamit Amina Wadud drejtoi një lutje të përzier të së premtes në Nju Jork, duke shkaktuar jehonë në mbarë botën.
Institucionet e Islamit në Bosnje datojnë që nga sundimi i Habsburgëve (1878–1918). Kur Perandoria Austro-Hungareze pushtoi Bosnjën në vitin 1878, ajo i njohu zyrtarisht myslimanët si bashkësi fetare. Monarkia Habsburge krijoi një organizatë të myslimanëve boshnjakë me një strukturë administrative sipas modelit të kishave të krishtera. Gjithashtu u vendos posti i “Reisu-l-ulema”. Ky myfti i madh mbetet edhe sot përfaqësuesi më i lartë i myslimanëve në Bosnje.
“Është ende e vështirë për gratë të arrijnë pozita me pushtet dhe ndikim në bashkësinë islame”, thotë politologia Djevada Garic për DW. “Për shembull, kemi shumë mësuese në shkollat islame, por asnjë grua në Rijaset, organin më të lartë vendimmarrës, apo në Këshillin e Myftinjve. Vetëm 11 nga gjithsej 87 përfaqësues në parlamentin e Bashkësisë Islame janë gra.” Vetë Garic ishte një nga gratë e para në një pozicion drejtues, si përgjegjëse për marrëdhënie ndërkombëtare në bashkësinë islame.
Demana Kuric thekson, se ndryshimi ka filluar. Sot ka më shumë gra që guxojnë të kandidojnë për poste, për shembull në parlamentin e komunitetit. Për më tepër, myftiu i madh aktual, Husein Kavazovic, ka krijuar një departament të posaçëm për fuqizimin e grave. Teologet islame tashmë kanë një perspektivë profesionale dhe mundësi që të njihen më mirë me institucionet myslimane të Bosnjës dhe strukturat e tyre.
Sipas sociologes Kuric, ndaj promovimit të grave nuk ka “kundërshtim në kuptimin që burrat të thonë: ‘ju nuk guxoni të merrni poste drejtuese’”. Megjithatë, mbetet ende shumë për t’u bërë: “Ajo që më mungon është një strategji e qartë institucionale e bashkësisë islame për t’i avancuar seriozisht gratë si besimtare dhe si teologe dhe për t’i përfshirë më mirë.”/DW/