Finalisti i “Big Brother VIP Albania 5”, Armir Shahini, i njohur për publikun si Miri, ka komentuar çiftet e krijuara gjatë këtij edicioni të reality show-t, duke dhënë mendimin e tij për marrëdhënien e Mateos dhe Brikenës.
I ftuar në emisionin “Ndryshe” me Elona Duron dhe Salsano Rrapin, ish-banori foli për eksperiencën e tij në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, raportet me ish-banorët dhe ndikimin që pati publiku në rrugëtimin e tij deri në finale.
Gjatë intervistës, moderatorët e pyetën edhe për çiftet që u krijuan brenda shtëpisë, veçanërisht për Mateon dhe Brikenën, duke kërkuar mendimin e tij nëse lidhja e tyre është reale apo pjesë e lojës.
Miri u shpreh se, sipas tij, marrëdhënia mes tyre u përdor si pjesë e strategjisë brenda formatit.
“Brenda e kam thënë shpesh që ishte lojë dhe e kanë shfrytëzuar si lojë në ‘Big Brother’, sepse të dy ata nuk është se kanë pasur diçka tjetër përveç historisë së dashurisë. Duam apo nuk duam, kjo është interesante për publikun, sepse njerëzit duan të dinë si do të shkojë marrëdhënia e tyre. Tani jashtë nuk e di fare çfarë bëjnë”, tha ai.
Kur moderatorët i përmendën faktin se Mateo dhe Brikena publikojnë foto së bashku, udhëtojnë dhe duken të dashuruar në rrjetet sociale, Miri qëndroi te mendimi i tij.
“Unë mendoj se po e shfrytëzojnë”, u shpreh ai.
I pyetur edhe për çiftin tjetër të përfolur, Selin dhe Gimbo, Miri tha se nuk i ka ndjekur nga afër zhvillimet e tyre pas daljes nga shtëpia.
“Nuk i kam parë”, tha ai, ndërsa kur iu tha se ata ndodhen me pushime, reagoi shkurt: “Bëfshin qejf.”
Në fund, finalisti i BBV 5 tregoi se nuk ndjek në rrjetet sociale asnjërin prej tyre, duke thënë me humor se është “i pandjekur”.
Deklaratat e tij kanë nxitur diskutime mes ndjekësve të formatit, sidomos për mënyrën se si marrëdhëniet e krijuara brenda “Big Brother” vazhdojnë të komentohen edhe pas përfundimit të spektaklit. /GazetaExpress/