Lisbona është renditur në vendin e parë si qyteti më i mirë në botë për emigrantët, sipas një studimi global që ka vlerësuar 35 qytete në gjashtë kontinente.
Studimi i realizuar nga Global Citizen Solutions ka analizuar qytetet sipas disa faktorëve kryesorë si: kostoja e jetesës, siguria, cilësia e shëndetësisë, ajri i pastër, lehtësia e integrimit, njohja e gjuhës angleze dhe mundësitë për lëvizje ndërkombëtare përmes vizave dhe pasaportës.
Sipas raportit, Lisbona doli në krye falë balancës së mirë në të gjitha kategoritë. Qyteti u vlerësua si relativisht i përballueshëm, me nivel të lartë sigurie, ajër të pastër dhe mundësi të mira për rezidencë, përfshirë edhe vizat për punë në distancë dhe nomadët digjitalë.
Në vend të dytë u rendit Amsterdam, i cili u vlerësua për shërbime të mira shëndetësore, siguri dhe nivel të lartë të përdorimit të gjuhës angleze, por u penalizua për koston e lartë të jetesës.
Në vendin e tretë u rendit Melbourne, i njohur për cilësinë e lartë të jetesës, pastërtinë, me nivelet më të larta të aftësisë së anglishtes në të gjithë renditjen, së bashku me Singaporin, Aucklandin dhe Vancouverin, dhe është një nga qytetet më të pastra në listë, shkruan Euronews.