Pep Guardiola pritet të largohet nga posti i trajnerit të Manchester Cityt në fund të sezonit dhe tashmë ka dalë një destinacion surprizë si favorit për lëvizjen e tij të ardhshme.
Lajmi shpërtheu të hënën mbrëma gjatë ndeshjes vendimtare të Arsenalit ndaj Burnleyt në Premierligë, ku u raportua se Guardiola kishte vendosur të largohej nga klubi pavarësisht rezultatit të garës për titull.
Manchester City ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht largimin e katalanasit, ndërsa pritet që ai të përballet me pyetje rreth të ardhmes së tij para ndeshjes jetike ndaj Bournemouthit.
Ish-trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, i cili ka punuar nën drejtimin e Guardiolës gjatë kohës së tij në Manchester, pritet gjerësisht të marrë drejtimin e skuadrës.
Gjatë dhjetë viteve të Guardiolës te Manchester City, ai fitoi gjashtë tituj të Premierligës, një Ligë të Kampionëve, tre FA Cup dhe pesë Kupa EFL.
Spekulimet kanë qenë të shumta për destinacionin e ardhshëm të Guardiolës.
Pas largimit nga Barcelona, ai mori një vit pushim para se të bëhej trajner i Bayern Munichut.
Rivali i tij afatgjatë, Jurgen Kloppi, i cili u largua nga Liverpooli për shkak të lodhjes mendore pas shumë përballjeve me Guardiolën, ende nuk është rikthyer në futbollin e klubeve, dhe nuk përjashtohet mundësia që edhe Guardiola të marrë një pushim të gjatë nga futbolli.
Megjithatë, kuotat janë ulur ndjeshëm për mundësinë që Guardiola të qëndrojë në futboll dhe të bëhet trajneri i ardhshëm i Anglisë.
Thomas Tucheli do ta drejtojë Anglinë në Kupën e Botës në Amerikën e Veriut dhe së fundmi ka nënshkruar një zgjatje kontrate deri në EURO 2028.
Sidoqoftë, një turne i dobët mund të hapë derën për një zëvendësim të hershëm, me Guardiolën që shihet si favorit nga bastoret angleze për t’u bërë trajneri i ardhshëm i Anglisë.
Favoriti i dytë për të siguruar shërbimet e trajnerit elitar është Brazili, që aktualisht drejtohet nga Carlo Ancelotti para turneut të verës.
Një rikthim spektakolar te Barcelona është gjithashtu mes opsioneve favorite, së bashku me Bayern Munichun dhe kombëtaren e Spanjës.
Ndërkohë, Liverpooli konsiderohet si një opsion i largët për të realizuar një nga lëvizjet më të bujshme të mundshme.
Guardiola vetë ka pranuar më parë se ideja për të drejtuar një kombëtare e tërheq.
Ai kishte deklaruar: “Do të vijë një moment kur do të ndiej se mjafton dhe atëherë do të ndalem patjetër. Nuk do të drejtoj një ekip tjetër. Nuk po flas për të ardhmen afatgjatë, por ajo që nuk do të bëj është të largohem nga Manchester City dhe të shkoj në një vend tjetër për të bërë të njëjtën gjë që po bëj tani. Nuk do ta kisha energjinë për këtë. Ende jam këtu duke bërë atë që bëj sot. Por ideja për të nisur diku tjetër, me gjithë procesin e stërvitjeve dhe gjithçka tjetër… jo, jo, jo! Ndoshta një kombëtare, por kjo është ndryshe”./GazetaExpress/
Karnavali “Golden Eagle” tashmë ka zyrtarizuar datat për edicionin e vitit 2026, duke rikthyer atmosferën festive që çdo vit...