Tronditet Spanja: Djali i themeluesit të gjigantit të modës arrestohet për vrasjen e babait - Gazeta Express
string(90) "tronditet-spanja-djali-i-themeluesit-te-gjigantit-te-modes-arrestohet-per-vrasjen-e-babait"

Lajme

Gazeta Express

19/05/2026 12:25

Tronditet Spanja: Djali i themeluesit të gjigantit të modës arrestohet për vrasjen e babait

Lajme

Gazeta Express

19/05/2026 12:25

Një zhvillim tronditës ka përfshirë familjen e themeluesit të gjigantit të modës Mango, pasi Jonathan Andic, djali i biznesmenit miliarder Isaac Andic, është arrestuar nga autoritetet katalanase në kuadër të hetimeve për vdekjen e të atit. Sipas mediave spanjolle, Jonathan Andic po merret në pyetje nga hetuesit lidhur me ngjarjen e ndodhur në dhjetor 2024, kur Isaac Andic humbi jetën pasi ra nga një shkëmb pranë zonës së Montserrat, në Katalonjë. Fillimisht rasti u konsiderua një aksident tragjik, por hetimet kanë marrë një tjetër drejtim, pasi autoritetet po shqyrtojnë tashmë pistën e një vrasjeje të mundshme.

Familja Andic kishte deklaruar më herët se besonte plotësisht në pafajësinë e Jonathan, ndërsa gjykata që ndjek çështjen ka ruajtur konfidencialitet të plotë mbi hetimet. Isaac Andic, themeluesi i Mango dhe një nga njerëzit më të pasur në Spanjë, humbi jetën gjatë një ecjeje familjare në shpellat e Montserrat. Ai ra nga një shkëmb me lartësi mbi 100 metra, ndërsa pranë tij ndodhej djali, Jonathan.

Sipas raportimeve, Jonathan ishte personi që njoftoi autoritetet për ngjarjen. Fillimisht policia e trajtoi si aksident, por më vonë hetuesit konstatuan mospërputhje në deklarata dhe të dhëna nga telefoni i viktimës, çka solli rihapjen e çështjes si hetim për vrasje të mundshme në tetor 2025. Aktualisht, Jonathan Andic, i cili mban edhe postin e nënkryetarit të kompanisë, është nën hetim zyrtar.

Nga emigrant në miliarder të modës
Isaac Andic lindi në Stamboll në vitin 1953, në një familje hebraike sefardike me origjinë nga Selaniku. Në vitet ’60 familja u vendos në Katalonjë, ku ai nisi të shiste këmisha në rrugët e Barcelonës. Në vitin 1984 themeloi Mango bashkë me vëllanë e tij Nachman, duke e kthyer markën në një perandori globale me më shumë se 2,500 dyqane në 110 vende.

I njohur për jetën e tij të rezervuar, Andic shmangte daljet publike dhe intervistat, ndërsa konsiderohej rivali kryesor i Amancio Ortega, themeluesit të Zara. Pasuria e tij vlerësohej në rreth 4.5 miliardë dollarë nga revista Forbes. Ndërkohë, hetimet për vdekjen e tij vijojnë, ndërsa opinioni publik në Spanjë mbetet i tronditur nga misteri që rrethon fundin e një prej figurave më të njohura të industrisë së modës europiane.

Advertisement
Advertisement
Advertisement