Roberto De Zerbi ka dhënë një mesazh të qartë për skuadrën e Tottenhamit, duke theksuar se mbijetesa në Premier League ende nuk është e sigurt. Edhe pse Spurs janë në një pozitë më të mirë se rivalët direktë, trajneri italian kërkon përqendrim maksimal para derbit londinez ndaj Chelseat.
Tottenhami udhëton të martën në “Stamford Bridge”, ku mund t’i mjaftojë edhe vetëm një pikë për ta siguruar matematikisht qëndrimin në elitën e futbollit anglez. Pas humbjes së West Hamit ndaj Newcastle të dielën, Spurs janë dy pikë mbi “Çekiçët”, kanë golaverazh më të mirë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
Megjithatë, De Zerbi nuk dëshiron që skuadra të bjerë në vetëkënaqësi. Ai ka hedhur poshtë çdo ide se Tottenhami mund të ndihet i qetë apo të nisë të mendojë për merkaton e verës, duke kërkuar që vëmendja të mbetet vetëm te fusha.

“Nuk mund ta harrojmë situatën ku ishim një muaj më parë. Ende nuk jemi të sigurt. Nuk është e drejtë të përgjigjem tani; para se të flasim për diçka tjetër, duhet ta sigurojmë një pikë në Premier League. Duhet të luftojmë dhe të luajmë shumë mirë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar te ndeshja, pastaj mund të përgjigjemi dhe të mbajmë një konferencë të madhe për shtyp,” deklaroi De Zerbi.
Një nga dilemat më të mëdha të trajnerit para ndeshjes me Chelsean është zgjedhja e portierit titullar. Guglielmo Vicario është rikthyer pas operacionit në hernie, por portieri i ri çek Antonin Kinsky ka bërë paraqitje bindëse gjatë mungesës së tij, duke krijuar konkurrencë reale për vendin në formacion.
De Zerbi nuk e zbuloi vendimin përfundimtar. “Vicario është i gatshëm për të luajtur. Do të vendos nesër. Nuk është e vështirë, është e lehtë. Po, Vicario është numri një, por duhet të marrim parasysh gjendjen fizike, momentumin dhe gjithçka tjetër. Kam marrëdhënie shumë të mirë si me Antonin Kinskyn, ashtu edhe me Vicarion, ndaj nuk do të ketë asnjë problem,” tha ai.
Spurs do të jenë pa Dominic Solanken, i cili mungon për shkak të një dëmtimi muskulor. Ndërkohë, lajme më të mira vijnë për James Maddison. Mesfushori ofensiv së fundmi bëri paraqitjen e tij të parë zyrtare pas më shumë se një viti dhe, pavarësisht një shqetësimi të vogël fizik në fillim të javës, pritet të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen ndaj Chelseat.
“Në fillim të javës, James nuk u stërvit për shkak të një problemi të vogël, por dje dhe sot ka punuar shumë mirë. Tani për tani nuk është gati për 90 minuta. Dua të flas me të nesër në mëngjes dhe të marrim vendimin më të mirë,” shpjegoi De Zerbi.

Trajneri italian foli edhe për kapitenin Cristian Romero, i cili është pranë rikthimit. “Cristian Romero është lojtar i madh. Është një djalë i jashtëzakonshëm, sepse ka qenë një kapiten i madh gjatë periudhës sime, edhe pse nuk ka luajtur,” tha ai.
Tottenhami përballet me një sfidë të vështirë edhe për shkak të historisë së dobët në “Stamford Bridge”. Klubi ka fituar vetëm një herë në 35 vizitat e fundit në kampionat ndaj Chelseat, ndërsa atmosfera dhe cilësia e kundërshtarit e bëjnë këtë ndeshje një nga më të vështirat e sezonit.
“Stamford Bridge është i vështirë. Është një stadium i fortë, sepse lojtarët e Chelseat në 25-30 sezonet e fundit kanë qenë fantastikë. Por nesër është një ndeshje e re,” përfundoi De Zerbi. /GazetaExpress/
Karnavali “Golden Eagle” tashmë ka zyrtarizuar datat për edicionin e vitit 2026, duke rikthyer atmosferën festive që çdo vit...