Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e shqyrtimit të aplikimeve për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Në përgjithësi janë aprovuar 131,800 votues jashtë vendit nga 142,803 aplikues.
Sipas të dhënave të bëra publike nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, numri më i madh i qytetarëve të regjistruar kanë zgjedhur votimin përmes postës, ndërsa mijëra të tjerë do të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Elezi ka njoftuar se procesi i shqyrtimit të kërkesave për regjistrim për votim jashtë Kosovës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovë është përmbyllur të mbrëmjen e së hënës, më 18 maj.
“Nga 142,803 kërkesa të pranuara për regjistrim, pas shqyrtimit të tyre, janë aprovuar 131,800, ndërsa 10,907 të tjera janë refuzuar dhe 96 janë anuluar”, njoftoi Elezi.
Më tej, ai ka treguar se numri më i madh i votuesve janë regjistruar për votim përmes postës.
“Mënyra më e përzgjedhur për të votuar, është votimi përmes postës. Nga 131,800 aplikime të aprovuara, 100,522 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,502 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 27,776 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, tregoi Elezi.
Votimi përmes postës do të fillojë më 25 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor, ndërkaq, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, më 6 qershor organizohet votimi në përfaqësi diplomatike organizohet.
Karnavali “Golden Eagle” tashmë ka zyrtarizuar datat për edicionin e vitit 2026, duke rikthyer atmosferën festive që çdo vit...