Paris Saint-Germain ka marrë një shqetësim të madh para finales së Champions League ndaj Arsenalit, pasi Ousmane Dembele u detyrua të largohej herët nga fusha në javën e fundit të sezonit në Ligue 1.
Fituesi i “Topit të Artë” dyshohet se ka pësuar një dëmtim muskulor gjatë humbjes 2-1 në derbin ndaj Paris FC, ndërsa Luis Enrique dha një përditësim pas ndeshjes për gjendjen e yllit të tij.
Dembele u largua para kohe nga fusha në “Stade Jean-Bouin” të dielën, duke shkuar menjëherë drejt dhomave të zhveshjes pas një shqetësimi në kofshë. Me finalen e Champions League kundër Arsenalit të planifikuar për të shtunën, më 30 maj, momenti i dëmtimit nuk mund të ishte më i keq për skuadrën e Luis Enriques.

29-vjeçari u zëvendësua nga portugezi Gonçalo Ramos në mesin e pjesës së parë, pasi ndjeu shqetësime fizike. Dembele ka qenë sërish një nga lojtarët kryesorë të PSG-së këtë sezon dhe mungesa e tij në finalen europiane do të ishte një goditje e rëndë për shpresat e parisienëve për ta fituar trofeun për të dytin vit radhazi.
Pavarësisht pamjes shqetësuese të Dembeles duke çaluar, trajneri Luis Enrique u përpoq ta minimizonte situatën në konferencën për shtyp pas ndeshjes. Kontrollet mjekësore janë planifikuar për të hënën dhe do të tregojnë shkallën e saktë të dëmtimit, por spanjolli la të kuptohet se zëvendësimi mund të ketë qenë më shumë masë paraprake.
“Mendoj se është thjesht lodhje”, tha Luis Enrique. “Ajo që themi sot është vetëm spekulim, por nuk mendoj se është diçka serioze. Për më tepër, kanë mbetur ende dy javë.”
Dëmtimi i mundshëm nuk shqetëson vetëm PSG-në, por edhe kombëtaren franceze. Dembele është përfshirë në listën e Didier Deschamps për Kupën e Botës 2026 dhe çdo problem muskulor afatgjatë mund t’i rrezikojë përgatitjet për turneun. Fituesi i “Topit të Artë” konsiderohet pjesë kyçe e sulmit të Francës, që synon të triumfojë në skenën botërore.

Stafi i kombëtares franceze pritet t’i ndjekë me shumë vëmendje rezultatet e kontrolleve mjekësore. Për momentin, fokusi është te periudha e rikuperimit para finales së Champions League, e cila i jep Dembeles një mundësi reale, edhe pse të kufizuar, për t’u kthyer në formë të plotë.
Deri në publikimin e raportit zyrtar mjekësor nga PSG, klubi po përpiqet të ruajë qetësinë. Parisienët kanë rreth 12 ditë kohë për ta rikuperuar sulmuesin 29-vjeçar para finales ndaj Arsenalit në Budapest. Dembele ka regjistruar 19 gola dhe 11 asistime në 39 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon, ndaj prania e tij do të ishte thelbësore për PSG-në në ndeshjen më të rëndësishme të vitit. /GazetaExpress/