Kodi Zgjedhor mund të miratohet edhe pa LSDM-në, por kjo nuk është mirë për shtetin - Gazeta Express
string(82) "kodi-zgjedhor-mund-te-miratohet-edhe-pa-lsdm-ne-por-kjo-nuk-eshte-mire-per-shtetin"

Maqedoni

Gazeta Express

18/05/2026 11:17

Kodi Zgjedhor mund të miratohet edhe pa LSDM-në, por kjo nuk është mirë për shtetin

Maqedoni

Gazeta Express

18/05/2026 11:17

Kodi Zgjedhor teorikisht mund të miratohet edhe pa LSDM-në, por kjo nuk do të ishte zgjidhje e mirë dhe nuk do të dërgonte mesazh të mirë për shtetin. Ky është vlerësimi i analistit politik Petar Arsovski, i cili në një prononcim për “Slloboden Peçat” shpjegon se, pavarësisht përplasjeve aktuale mes pushtetit dhe opozitës, duhet të bëhet edhe një përpjekje që ndryshimet të miratohen me konsensus, përcjell PressOnline.al .

Sipas tij, mungesa qoftë edhe e një partie opozitare nga procesi mund ta cenojë kredibilitetin e Kodit Zgjedhor.

Siç thotë ai, bëhet fjalë për një ligj që i rregullon rregullat e lojës zgjedhore, prandaj miratimi i tij pa pajtim më të gjerë politik do të hapte dyshime dhe tensione shtesë.

Arsovski thekson se problemi nuk qëndron vetëm te fakti nëse LSDM-ja merr pjesë apo jo në grupin e punës, por edhe te fakti se partitë aktualisht nuk kanë konsensus të qartë se çfarë saktësisht duhet të përmbajë Kodi Zgjedhor.

“Sa i përket asaj nëse ligji mund të miratohet pa LSDM-në, teorikisht mundet, por nuk do të jetë mirë dhe nuk do të flasë mirë për shtetin. Është më mirë të bëhet edhe një përpjekje për të arritur konsensus. Këtu vijmë te pika e tretë, e ajo është se problemi më i madh është se partitë për momentin nuk kanë konsensus”, deklaroi Arsovski.

Ai shton se në opinion është krijuar përshtypja se të gjitha partitë janë dakord për një njësi zgjedhore, por menjëherë pas kësaj hapen çështje të tjera: a do të ketë prag zgjedhor, a nuk do të ketë prag dhe sa do të jetë ai.

“Ekziston përshtypja se të gjitha partitë janë dakord të ketë një njësi zgjedhore, por këtu shtrohet edhe pyetja nëse do të ketë prag zgjedhor apo jo. Sa do të jetë ai prag zgjedhor? Në thelb, ne nuk kemi konsensus mes partive rreth Kodit Zgjedhor, pavarësisht mekanikës së miratimit të tij”, tha Arsovski.

Sipas tij, partitë politike shpesh dinë ta keqpërdorin pozitën e tyre dhe procese të tilla t’i shndërrojnë në marketing ditor politik.

Prandaj, vlerëson ai, është e domosdoshme që edhe një herë të hapet hapësirë për bisedime, në vend që procesi të shtyhet në një drejtim që do të linte përshtypjen se rregullat zgjedhore po miratohen pa një pjesë të opozitës.

Arsovski rikujton se edhe më parë ka pasur raste kur partitë politike kanë braktisur Kuvendin ose grupet e punës, por kjo deri më tani nuk u ka sjellë përfitim politik.

Sipas tij, presioni që LSDM-ja të kthehet në grupin e punës do të rritet, sidomos sepse bashkësia ndërkombëtare zakonisht preferon që ligje të tilla të miratohen me konsensus dhe përmes diskutimit të hapur.

“Presioni që LSDM-ja t’i bashkohet grupit të punës do të rritet. Bashkësia ndërkombëtare gjithmonë preferon që ligjet të miratohen me konsensus dhe diskutim të hapur nëse ka mospajtime. Nuk është në rregull që Kodi Zgjedhor të miratohet pa opozitën, prandaj edhe LSDM-ja duhet të mendojë të kthehet përsëri”, deklaroi Arsovski.

Në këtë kontekst, Kodi Zgjedhor mbetet mes dy vijave – nevojës për të miratuar një ligj reformues dhe nevojës që kjo të bëhet me kredibilitet politik.

Formalisht, shumica mund të ekzistojë edhe pa pjesëmarrjen e LSDM-së në proces, por pyetja është se çfarë legjitimiteti do të ketë një ligj që i rregullon rregullat zgjedhore nëse një pjesë e opozitës mbetet jashtë krijimit të tij.

Peshë shtesë kësaj teme i jep edhe fakti që ndryshimet në Kodin Zgjedhor lidhen me agjendën reformuese dhe afatet që shteti duhet t’i përmbushë.

Pikërisht për këtë foli edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili deklaroi se Qeveria mbetet optimiste se do ta realizojë agjendën reformuese, por vlerësoi se opozita po e pengon procesin përmes bllokimit të grupit të punës për Kodin Zgjedhor.

Sipas tij, një nga hapat varet nga pjesëmarrja e opozitës, konkretisht në pjesën e Kodit Zgjedhor.

“Shpresoj se atje do të mbizotërojë arsyeja, se do të kthehen në grupin e punës dhe se të gjithë së bashku do ta miratojmë këtë ligj reformues”, deklaroi Mickoski.

Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, qëndron fuqishëm në qëndrimin se emri i reformave janë ndryshimet kushtetuese dhe fillimi i negociatave, duke i porositur pushtetit të ndalojë së mashtruari opinionin dhe së gënjyeri, pasi, siç tha ai, për dy vite nuk ka bërë asgjë nga reformat.

Advertisement
Advertisement
Advertisement