Lionel Messi mund të jetë duke hyrë në fundin e karrierës së tij legjendare, por ylli i Inter Miamit nuk ka ndërmend të ngadalësohet para Kupës së Botës 2026.
Shoku i tij i skuadrës te klubi dhe kombëtarja argjentinase, Rodrigo De Paul, ka zbuluar se fituesi tetë herë i “Topit të Artë” po kalon aktualisht një transformim fizik intensiv për të qenë në formën më të mirë për mbrojtjen e titullit botëror me Argjentinën.
Pavarësisht se tashmë ka fituar çdo trofe të madh në futbollin botëror, Messi raportohet se po punon më shumë se kurrë prapa skenave.
Sipas De Paul, kapiteni i Inter Miamit ka shtuar një seancë të dytë stërvitore në rutinën e tij të përditshme, përtej angazhimeve normale me klubin.
Duke folur në një intervistë për “Lo del Pollo”, De Paul shpjegoi se ky plan i veçantë fizik ka disa muaj që po zbatohet.
“Prej dy ose tre muajsh kemi një plan stërvitor përtej asaj që bëjmë me klubin dhe të dy po sakrifikohemi maksimalisht për të arritur formën më të mirë fizike,” zbuloi mesfushori.
“I propozuam vetes një program me dy seanca në ditë dhe kemi trajnerin tonë aty. Po japim gjithçka”, shtoi ai.
Messi po kalon një formë të shkëlqyer me Inter Miamin në sezonin MLS 2026, duke shënuar 11 gola në 12 paraqitje dhe duke dhënë katër asistime.
38-vjeçari ishte sërish heroi i ekipit në ndeshjen e fundit, kur realizoi dy gola në fitoren spektakolare 5-3 ndaj Cincinnati, sukses që e ngjiti klubin në vendin e tretë në Konferencën Lindore.
Përveç kërkesave fizike të futbollit elitar, De Paul foli edhe për sfidat personale që përjeton si sportist i profilit të lartë.
I njohur për personalitetin e tij energjik dhe videot në TikTok me vajzën e tij Francesca, mesfushori pranoi se përjeton luhatje të mëdha emocionale.
“Jam një person me shumë ngritje dhe ulje,” tha ai.
“Kam shumë momente të vështira. Kur bie, bie vërtet. Nuk jam tip neutral apo i vakët”, e mbylli ai./GazetaExpress/