Komunat paralajmërojnë protesta: Mbi 344 milionë euro humbje nga kontrata kolektive - Gazeta Express
string(82) "komunat-paralajmerojne-protesta-mbi-344-milione-euro-humbje-nga-kontrata-kolektive"

Lajme

Gazeta Express

16/05/2026 9:12

Komunat paralajmërojnë protesta: Mbi 344 milionë euro humbje nga kontrata kolektive

Lajme

Gazeta Express

16/05/2026 9:12

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka paralajmëruar protesta, duke thënë se komunat po përballen me barrë të papërballueshme financiare nga kontrata kolektive dhe vendimet gjyqësore që burojnë nga kjo kontratë, raporton Ekonomia Online.

Në reagimin e bërë pas takimit të Këshillit të Kryetarëve, AKK-ja tha se situata po e rrezikon seriozisht stabilitetin financiar të pushtetit lokal dhe po ndikon drejtpërdrejt në investimet kapitale dhe shërbimet për qytetarët.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës shpreh shqetësimin dhe revoltën e thellë të komunave lidhur me barrën e papërballueshme financiare që po shkaktohet nga kontrata kolektive dhe vendimet gjyqësore që burojnë nga kjo kontratë”, thuhet në reagim.

Sipas AKK-së, komunat kanë kërkuar urgjentisht zgjidhje institucionale për këtë çështje, duke theksuar se janë shterur pothuajse të gjitha mjetet ligjore dhe institucionale për ta adresuar problemin.

Në reagim thuhet se AKK-ja e ka dërguar çështjen e kontratës kolektive në Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por se kjo gjykatë ka vlerësuar që nuk është kompetente për ta trajtuar rastin.

Po ashtu, sipas AKK-së, mbi 26 komuna kanë iniciuar procedura gjyqësore në Gjykatat Themelore, ndërsa lëndët më pas janë bartur në Gjykata Komerciale, pa pasur ende një zgjidhje konkrete.

Asociacioni tha se janë zhvilluar dhjetëra takime me nivelin më të lartë institucional në vend, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Financave Hekuran Murati, Komisionin Parlamentar për Arsim, ish-kryesuesin e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, si dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

“Përkundër të gjitha këtyre përpjekjeve, deri më sot nuk është ofruar asnjë zgjidhje konkrete për komunat”, thuhet më tej në reagim.

AKK-ja tha se edhe në takimin e fundit të Komisionit të Granteve, kërkesat dhe shqetësimet e komunave nuk janë marrë parasysh nga niveli qendror.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Asociacioni, vetëm në periudhën 2022–2026 komunave u janë marrë mbi 344 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore dhe përmbarimeve, ndërsa vetëm në katër muajt e parë të vitit 2026 mbi 55 milionë euro.

“Këto mjete janë larguar drejtpërdrejt nga investimet kapitale, infrastruktura lokale dhe shërbimet për qytetarët”, thuhet në reagim.

Përballë kësaj situate, Këshilli i Kryetarëve ka vlerësuar se nëse institucionet qendrore vazhdojnë të mos ofrojnë zgjidhje konkrete, protesta mbetet forma e vetme demokratike dhe institucionale për mbrojtjen e interesit të komunave dhe qytetarëve.

AKK-ja ka kërkuar ndërhyrje urgjente institucionale dhe politike për zgjidhjen e problemit, krijimin e një mekanizmi kompensues për komunat, ndalimin e dëmtimit të mëtejmë të buxheteve komunale dhe trajtim të drejtë për pushtetin lokal./EO/

Advertisement
Advertisement
Advertisement