Performanca e përfaqësuesit të Britanisë së Madhe në “Eurovision 2026” ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë shikues e kanë cilësuar si një nga paraqitjet më të diskutueshme të këtij edicioni.
Artisti britanik Look Mum No Computer, emri i vërtetë i të cilit është Sam Battle, u ngjit në skenën e Vjenës me këngën “Eins, Zwei, Drei”. Ai u shfaq me një kostum rozë dhe performoi me sintetizator, i shoqëruar nga balerinë me helmeta në formë kompjuteri.
Stili ekscentrik i performancës ndau publikun. Një pjesë e shikuesve e kritikuan ashpër paraqitjen, duke bërë komente ironike dhe duke parashikuar se Britania e Madhe mund të përballet sërish me rezultat të dobët në finalen e madhe.
Megjithatë, pati edhe reagime më pozitive nga ndjekës që e vlerësuan performancën si të guximshme, ndryshe dhe argëtuese. Sipas tyre, Britania këtë vit zgjodhi të eksperimentonte më shumë, duke sjellë një stil më alternativ krahasuar me paraqitjet e viteve të fundit.
Ndërkohë, Australia tërhoqi vëmendje të madhe me performancën e Delta Goodrem, e cila interpretoi këngën “Eclipse”. Paraqitja e saj u prit me entuziazëm nga publiku dhe u komentua si një nga momentet më të forta të mbrëmjes në skenën e Eurovisionit. /GazetaExpress/