Delcy Morelos, artistja që i jep zë tokës - Gazeta Express
string(40) "delcy-morelos-artistja-qe-i-jep-ze-tokes"

Arte

Gazeta Express

14/05/2026 21:54

Delcy Morelos, artistja që i jep zë tokës

Arte

Gazeta Express

14/05/2026 21:54

Toka na mban gjallë dhe është vendi ku të gjithë kthehemi në fund, por shpesh e trajtojmë me shpërfillje. Pikërisht këtë marrëdhënie të njeriut me dheun e vendos në qendër të krijimtarisë së saj artistja kolumbiane Delcy Morelos, e njohur për instalacionet monumentale prej balte dhe dheu.

Në Meksiko Siti, vepra e saj “The Womb Space” është kthyer në një përvojë të rrallë shqisore për vizitorët. Skulptura gjigante prej dheu, e aromatizuar me karafil dhe kanellë, krijon ndjesinë e hyrjes në një hapësirë të errët, të lagësht dhe të qetë, që të kujton një shpellë apo një mal nga brenda.

Ekspozita ka tërhequr më shumë se 60 mijë vizitorë gjatë nëntë muajve të hapjes, duke u përhapur kryesisht përmes rekomandimeve gojore. Për shumë prej tyre, përvoja ka qenë nostalgjike dhe emocionale. Një grua e moshuar, sapo hyri në hapësirë, tha se aroma i kujtonte fermën e saj dhe lojërat e fëmijërisë në dhe. Rastësisht, toka e përdorur për skulpturën vinte pikërisht nga rajoni i saj.

Kjo përvojë lidhet drejtpërdrejt me veprën e re të Morelos, “Origo”, që do të hapet për publikun në oborrin e skulpturave të Barbican-it në Londër. Emri i saj do të thotë “Origjinë” dhe instalacioni vjen si një pavijon i madh oval, 24 metra i gjerë, me kalime të ngjashme me shpella ku vizitorët mund të hyjnë dhe të qëndrojnë.

Në qendër të veprës do të ketë një hapësirë pushimi, ku do të zhvillohen edhe aktivitete meditative, si tai chi. Morelos thotë se ka menduar për atë që mund t’i nevojitet një banori të Londrës: një vend qetësie, reflektimi dhe lidhjeje me origjinën.

Artistja 58-vjeçare e quan punën e saj me dheun “mision” dhe “vokacion”. Ajo synon të krijojë përvoja ku njerëzit të gjejnë përgjigje për pyetje që nuk e dinin se i kishin.

“Punoj me tokën që të kuptosh se edhe ti je i përbërë prej saj”, shprehet Morelos. “Nuk ka ndarje. Nëse e lëndon atë, më lëndon mua, lëndon edhe veten.”

Kjo filozofi buron nga kozmologjia andine, ku malet, lumenjtë dhe detet nuk shihen si burime për t’u shfrytëzuar, por si qenie të gjalla. Sipas Morelos, universi është si një pëlhurë e endur, ku gjithçka ka rëndësi.

Morelos është rritur në Tierralta, një qytet i vogël në Kolumbi. Si fëmijë, ajo kujton se si pastronte çdo ditë dyshemenë prej dheu të shtëpisë bashkë me gjyshen, për të ulur pluhurin. Më vonë, pasi studioi art, krijimet e saj u dominuan nga e kuqja e gjakut, si reagim ndaj dhunës që kishte parë në vendin e saj, ku grupet paramilitare luftonin për territore të lidhura me kokainën.

Këto përvoja e çuan gradualisht drejt tokës si material dhe si temë. Për të, toka nuk duhet të zotërohet, por të kujdeset.

Instalacionet e Morelos ndërthurin artin e tokës, minimalizmin, arte povera-n dhe ndikime nga arkitektura para-hispanike e moderne. Përmes tyre, ajo sfidon idenë se dheu është thjesht papastërti nën këmbë apo material për t’u shfrytëzuar për ar, naftë dhe pasuri të tjera.

Në veprën e saj, toka ngrihet në një nivel të barabartë me njeriun. Morelos thotë se marrëdhëniet horizontale janë më interesante, sepse përfshijnë kujdes, dëgjim dhe vëmendje.

“Dëgjoj hapësirën, materialet nga të cilat përbëhet dhe kujtesën e asaj që ka qenë aty më parë. Aty fillon kujdesi”, thotë ajo.

“Origo” do të jetë e hapur falas për publikun, gjë që e gëzon artisten, pasi njerëzit do të mund të rikthehen disa herë dhe ta shohin veprën të ndryshojë me motin dhe kohën.

Për ndërtimin e saj janë përdorur rreth 30 tonë dhe, të punuara nga Morelos dhe ekipi i saj. Megjithatë, instalacioni do të çmontohet në gusht. Artistja nuk e sheh këtë si humbje, por si pjesë të natyrës së veprës.

“Ekziston pothuajse një fetish që veprat e artit duhet të ruhen përgjithmonë. Mua më pëlqen ideja e përkohshmërisë”, thotë ajo, duke e krahasuar me ciklet e natyrës: sythat që çelin, lulet që lulëzojnë dhe gjethet që bien.

Për Morelos, vepra do të vazhdojë të jetojë në kujtesën e atyre që e përjetuan. Ajo shpreson që “Origo” t’i prekë vizitorët dhe t’u kujtojë se njeriu nuk ka nevojë për shumë për të jetuar, sepse toka është e bollshme.

“Dua të krijoj një hapësirë ku mund të jesh me të. Aty, toka do të të mbajë”, thotë artistja. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement