Kurti: Opozita po bllokon reformat, po rrezikon miliona euro nga BE-ja - Gazeta Express
string(68) "kurti-opozita-po-bllokon-reformat-po-rrezikon-miliona-euro-nga-be-ja"

Lajme

Gazeta Express

14/05/2026 14:24

Kurti: Opozita po bllokon reformat, po rrezikon miliona euro nga BE-ja

Lajme

Gazeta Express

14/05/2026 14:24

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e parë të Këshillit ministror për integrim evropian, ku është diskutuar zbatimi i Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor ka folur edhe për opozitën, të cilën e ka akuzuar se po e pengon punën institucionale dhe procesin e reformave, raporton Ekonomia Online.

Kurti tha se mungesa e një opozite funksionale në Kuvend po ndikon drejtpërdrejt në ritmin e reformave dhe zbatimin e afateve të përcaktuara.

“Numri më i madh i reformave do të raportoheshin të kryera deri në fund të qershorit, në qoftë se krahas vullnetit të madh e të mirë e punës serioze të qeverisë sonë, do të kishim edhe një opozitë parlamentare serioze që merr përgjegjësinë e cila i takon në Kuvend. Ne jemi në një situatë ku e kemi një opozitë e cila zgjedh për të mos ardhë në Kuvend, edhe kur vjen shikon cilat ligje me i blloku. Kjo është vërtet sfidë për neve si qeveri dhe është humbje e kohës dhe e mjeteve për neve si shtet.

Pikërisht për këtë shkak që nuk kemi Kuvend, e kemi zgjedhje, një numër i konsiderueshëm reformash nga plani i rritjes nuk do të arrijë të përmbyllen me sukses brenda afatit të paraparë e të paralajmëruar. Konkretisht kemi 10 reforma që skadojnë me 30 qershor, nëntë prej të cilave tashmë janë të rrezikuara duke shkaktuar humbje të miliona eurove. Bëhet fjalë për 12 projektligje, për hartimin e të cilave ministritë përkatëse kanë bërë punë të jashtëzakonshme duke i parafruar ato me ligjet në Bashkimin Europian dhe me standardet europiane”, tha ai.

Ai shtoi se bllokadat në Kuvend po sjellin pasoja financiare dhe po ngadalësojnë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Pra, sikur kuvendi ta kryente punën për çfarë i kanë votuar deputetët qytetarët e Republikës së Kosovës, asnjë hap nuk do të humbej. Të nderuar ministra e ministër, zëvendësministre e zëvendësministra, të nderuar përfaqësues nga institucionet e pavarura të Republikës së Kosovës, zgjedhjet ishin të panevojshme sepse ofruam zgjidhje të shumta. Sot do të kishim një president të propozuar nga opozita. Nuk deshën, pasi qartazi donin zgjedhje me çdo kusht. Ky veprim i papërgjegjshëm po na kushton jo vetëm me humbje të miliona eurove nga Bashkimi Evropian, por edhe me humbje të kohës e ngadalësim të procesit të integrimit. Reformat nga Plani i Rritjes janë për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, por fatkeqësisht bllokada me të cilën po ballafaqohemi ne është për ta ngadalësuar atë”, u shpreh Kurti.

Ai theksoi se qytetarët dhe institucionet do të vazhdojnë procesin e reformave pavarësisht pengesave politike.

“Por qytetarët, si çdoherë, do ta zhbllokojnë edhe kuvendin e do t’i përshpejtojnë reformat. Ne po punojmë që çdo hap që mund të bëhet nga qeveria të kryhet. Pra, jemi në krye të detyrës. E çdo hap që kërkon miratim në kuvend të jetë gati për seancën e radhës pas zgjedhjeve, ashtu që afati i dhjetorit të mos rezultojë me humbje të mëtutjeshme. Janë gjithsej 79 hapa të reformave që përfshijnë periudhën 2024-2026 me vlerë financiare prej mbi 579 milionë euro”, thekson ai.

Advertisement
Advertisement
Advertisement