Studentët shqiptarë kanë paralajmëruar një protestë të re që do të mbahet më 18 maj 2026, në orën 16:30, para Urës së Gurit në Shkupi, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mundësohet në gjuhën shqipe. Sipas njoftimeve të publikuara në rrjetin sociale Facebook, protesta organizohet me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, ndërsa mesazhi kryesor është mbrojtja e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale, përcjell Gazeta EXPRESS nga Portalb.mk.
Kjo protestë vjen pas një periudhe të gjatë pakënaqësish dhe iniciativash studentore, përfshirë edhe protestën e mbajtur më 6 prill 2026 në Shkup, ku mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë kërkuan respektimin e të drejtave gjuhësore dhe mundësimin e provimit në gjuhën shqipe.
Sipas organizatorëve, përgatitjet për protestën e re kanë nisur me takime në qytete të ndryshme të vendit, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes dhe koordinimin e studentëve nga universitete të ndryshme.
Mevlan Ademi, njëri nga nismëtarët e protestës dje për Portalb.mk tha se qëllimi i tyre është të njihemi më shumë me kolegët, të këshillohen mes vete dhe së bashku ta vazhdojnë këtë rrugëtim.
“Mbi të gjitha, po përgatitemi për protestën e radhës. Besojmë se gjatë ditëve në vijim do të mbahet protesta e dytë. Edhe një muaj pas protestës së parë, ende nuk kemi pranuar asnjë informatë konkrete se kur do të zgjidhet kërkesa jonë apo si do të procedohet më tej. Nuk kemi pranuar asnjë përgjigje nga institucionet, përveç reagimit të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët dukeshin më të shqetësuar për përdorimin e flamurit të Maqedonisë së Veriut sesa për problemin real që kemi ngritur”, tha Ademi.
Ai tha se deri tani nuk kanë asnjë afat kohor se kur mendohet të përfundojë kjo çështje dhe se nuk shohin asnjë progres në zbatimin e të drejtës qytetare.
“E drejta vazhdon të na shkelet, ndërsa institucionet vazhdojnë të heshtin”, tha Ademi.
Afat konkret nuk ka as nga Qeveria e vendit se kur dhe si do ta zgjidh këtë çështje, nga aty nuk u përgjigjën në pyetjet e Portalb.mk.
Ndërkaq, Bilall Kasami – bashkëkryetar i tani më partisë VLEN tha për Portalb.mk se janë të angazhuar për ta zgjidhur këtë problem, por pa dhënë afat kohor se kur.
“Jemi duke analizuar zgjidhjen e këtij problemi, nuk është i thjeshtë është problemi pak më kompleks sepse nuk bëhet fjalë vetëm për provimin e jurisprudencës, por bëhet fjalë për një sërë provimesh që jepen për përgatitje profesionale, bëhet fjalë për provimin e avokatëve, kontabilistëve, noterëve, pra të gjitha profesionet që kanë provim profesional do duhet që kjo çështje të rregullohet që ai të mbahet në gjuhën amtare”, tha Kasami.
Mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë më 6 prill 2026 protestuan në Shkup duke kërkuar që të respektohet Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrë që të mund ta japin provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase. Ata kërkuan drejtësi për studentët dhe dorëheqje të ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov i cili ua mohon të drejtën e garantuar me ligj. Përmes një reagimi pas protestës, Ministria e Drejtësisë vazhdoi të insistojë se provimi nuk mund të jepet në gjuhën shqipe.
Pas protestës, kryeministri Hristijan Mickoski tha se qeveria po punon për zgjidhje ligjore, ndërkaq tha se protesta pati konotcion politik dhe përpjekje për destabilizim. Për këtë, reagoi Bujar Osmani nga BDI duke thënë se ka informuar ndërkombëtarët se qeveria tenton të shtrembërojë protestën.
tag_katrorimaqedoni_2
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...