Sonte është dita e fundit kur partitë politike duhet t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për zgjedhjet e 7 qershorit.
Por, deri tani asnjë nga katër subjektet e mëdha politike, Lëvizja Vetëvendosje (VV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk i kanë publikuar ato.
Ndërsa, kanë mbetur më pak se 2 orë derisa afati të mbyllet.
Në zgjedhjet e kaluara të dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje ishte e fundit që publikoi listën pas orës 00:00, ndërsa partitë e tjera e kishin bërë më herët.
Megjithatë, burimet e mediave kanë treguar për top 10-shen e PDK dhe LDK-së.
Ajo që ka rënë në sy dhe është konfirmuar, rezulton se Hykmete Bajrami nga numri 3 do të jetë në numër 12. Përmes një postimi ajo ka reaguar duke thënë se “është në listë pas atyre që e kanë luftuar LDK-në”, por ka shtuar se “nuk e ka problem”.
Disa deputetë kanë treguar për numrin e tyre, akoma pa u publikuar listat, nga ta janë dhe Bekim Haxhiu (PDK) e Janina Ymeri (LDK). /Gazeta Express