Neymar e ka dhënë një tjetër sinjal të fortë se ende nuk e ka thënë fjalën e fundit në futbollin botëror.
Ylli brazilian ishte protagonist absolut në fitoren 2-0 të Santosit ndaj Red Bull Bragantino, duke e realizuar një supergol solo që e ka bërë menjëherë xhiron e rrjeteve sociale, shkruan “Gazeta Express”.
Sulmuesi 34-vjeçar e mori topin nga krahu i majtë, dribloi me stil karakteristik drejt qendrës dhe pas një kombinimi të shpejtë me shokun e skuadrës, e dërgoi topin në rrjetë me një goditje precize në cepin e portës.
Një aksion tipik “alla Neymar”, që e rikujtoi versionin më të mirë të brazilianit.
Neymar Jr with another goal for Santos tonight. 🇧🇷
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) May 10, 2026
A goal or assist delivered every 98 mins in last 17 games. 🔥
🏟️ 17 games
⚽️ 11 goals
🅰️ 4 assists
🎥 nodetalhecontent_ on Instagram pic.twitter.com/iTCOVj4WxI
Paraqitja e tij ishte vendimtare për Santosin, i cili i dha fund serisë negative prej shtatë ndeshjesh pa fitore.
Përveç golit, Neymar kontribuoi edhe në aksionin e golit të dytë, duke qenë lider absolut në fushë me driblime, pasime kyçe dhe raste të krijuara.
Në fund të ndeshjes, tifozët e Santosit u ngritën në këmbë për ta duartrokitur idhullin e tyre, një moment emocionues për futbollistin që po tenton të rikthehet në nivelin më të lartë pas problemeve të shumta fizike.
Forma e fundit e Neymarit vjen në momentin ideal, ndërsa ai synon ta bindë Carlo Ancelottin për një vend në listën e Brazilit për Kupën e Botës 2026.
Trajneri italian ka lënë të kuptohet se dera mbetet e hapur për sulmuesin, nëse ai arrin të tregojë vazhdimësi dhe gjendje të mirë fizike.
Edhe Lionel Messi së fundmi e ka mbështetur publikisht rikthimin e Neymarit në Botëror, duke deklaruar se prania e tij do të ishte e rëndësishme jo vetëm për Brazilin, por për të gjithë futbollin. /Gazeta Express