Dua Lipa padit “Samsungun” - Gazeta Express
string(24) "dua-lipa-padit-samsungun"

Rozë

Gazeta Express

11/05/2026 9:51

Dua Lipa padit “Samsungun”

Rozë

Gazeta Express

11/05/2026 9:51

Shqiptarja me famë botërore, Dua Lipa, ka paditur kompaninë “Samsung” duke kërkuar të paktën 15 milionë dollarë dëmshpërblim, pasi pretendon se kompania ka përdorur fotografinë e saj në paketimet e televizorëve pa lejen e saj dhe pa e paguar, ka raportuar The Guardian.

Sipas padisë së dorëzuar në një gjykatë federale në Kaliforni, “Samsung” ka përdorur një imazh të Lipës në ekranin e televizorëve të shtypur në kutitë e kartonit për “një pjesë të konsiderueshme” të televizorëve të shitur në SHBA gjatë vitit të kaluar.

Paketimi i Televizorëve “Samsung” me fytyrën e Dua Lipës

Këngëtarja britanike 30-vjeçare ka thënë se e kuptoi përdorimin e fotos në qershor të vitit 2025 dhe menjëherë ka kërkuar që kompania ta ndalte përdorimin e saj. Megjithatë, sipas saj, “Samsung” ishte “mospërfillës dhe i pandjeshëm” dhe “refuzoi vazhdimisht” të tërhiqte fotografinë.

“Fytyra e zonjës Lipa është përdorur në mënyrë të dukshme në një fushatë masive marketingu për një produkt konsumatorësh pa dijeninë e saj, pa asnjë kompensim dhe pa pasur ajo asnjë fjalë, kontroll apo përfshirje në këtë proces. Zonja Lipa nuk e ka lejuar dhe nuk do ta kishte lejuar kurrë këtë përdorim”, thuhet në padi.

Në padi thuhet se Lipa zotëron të drejtat e fotografisë, e cila ishte realizuar prapa skenës para një performance në festivalin Austin City Limits në vitin 2024.

Ajo po e akuzon “Samsungun” për shkelje të së drejtës së autorit, shkelje të ligjit të Kalifornisë për përdorimin e imazhit të një personi, si dhe për pretendime të tjera federale dhe tregtare.

Në dokumentet gjyqësore thuhet se “Samsung” ka përfituar financiarisht duke krijuar përshtypjen sikur Lipa po e promovonte produktin. Madje në padi përfshihen edhe komente të fansave në rrjetet sociale.

“Do ta blija atë televizor vetëm sepse Dua Lipa është në të. Aq e fiksuar jam pas saj. Aq shumë e dua”, ka shkruar një fanse.

“Nuk po planifikoja fare të blija televizor, por kur pashë kutinë vendosa ta marr”, ka shkruar një tjetër.

Ndërsa një koment tjetër thoshte se: “Nëse doni të shisni diçka, mjafton t’i vendosni një fotografi të Dua Lipës”.

Padia thekson gjithashtu se Lipa është “shumë përzgjedhëse” kur bëhet fjalë për bashkëpunimet me marka dhe se ajo ka pasur marrëveshje me kompani të njohura si “Apple”, “Porsche”, “Versace”, “Bulgari” dhe “Nespresso”.

“Sjellja e Samsungut tall punën e saj shumëvjeçare për të ndërtuar një markë të suksesshme dhe i ka mohuar asaj mundësinë për të kontrolluar dhe monetizuar asetet e saj”, thuhet në padi.

Lipa po kërkon që gjykata ta ndalojë përgjithmonë “Samsungun” ta përdorë fotografinë e saj, si dhe të paguajë të paktën 15 milionë dollarë dëmshpërblim, përveç kostove ligjore dhe dëmshpërblimeve shtesë ndëshkuese.

Deri tani, “Samsung” nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre pretendimeve.

Advertisement
Advertisement
Advertisement