Real Madridi duhet të mposhtë Barcelonën në përballjen e së dielës në “El Clásico” në “Spotify Camp Nou” nëse dëshiron ta mbajë gjallë garën për titullin e La Ligës edhe për një javë tjetër.
Megjithatë, detyra nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi madrilenët do të mungojnë me disa lojtarë kyç.
Tashmë ishte konfirmuar se Federico Valverde nuk do të jetë i gatshëm pas tronditjes cerebrale që pësoi në përplasjen gjatë stërvitjes me Aurélien Tchouaménin, ndërsa edhe Dani Carvajali, Éder Militão dhe Arda Güleri mungojnë për shkak dëmtimesh.
Kësaj liste i është shtuar tani edhe Kylian Mbappé, i cili ka mbetur jashtë skuadrës së Real Madridit që udhëton drejt Katalonjës.
Mbappé pritej të kishte disa minuta në “El Clasico”, por kjo nuk do të ndodhë më.
Ai nuk u përfshi në listën e trajnerit Álvaro Arbeloa për ndeshjen, me vendimin që u mor të dielën në mëngjes.
Sipas “Diario AS”, Mbappé nuk arriti ta përfundonte seancën stërvitore të së shtunës për shkak të shqetësimeve fizike.
Fillimisht ishte planifikuar të aktivizohej nga stoli në “Spotify Camp Nou”, por në fund u vendos që të mos rrezikohej, duke bërë që Real Madridi të humbasë edhe një tjetër opsion në sulm për “El Clasicon”.
Mungesa e Mbappés është një goditje për Real Madridin, por skuadra duhet të bëjë më të mirën pa shërbimet e tij.
Ka shpresë që ai të jetë i gatshëm për të luajtur kundër Real Oviedos të enjten, megjithëse gara për titull mund të ketë përfunduar deri atëherë nëse Barcelona shmang humbjen në “El Clasico”.
Mbetet të shihet se si do të paraqitet Real Madridi pa Mbappén, por është e qartë se përgatitjet për vizitën në Barcelonë kanë qenë larg ideales.
Megjithatë, ka edhe lajme pozitive, pasi portieri yll Thibaut Courtoisi është rikthyer nga dëmtimi dhe do të startojë në “Spotify Camp Nou”./GazetaExpress/