Luke Shaw çuditet me jetesën e Ronaldos dhe me mentalitetin e Ibrahimovicit - Gazeta Express
string(75) "luke-shaw-cuditet-me-jetesen-e-ronaldos-dhe-me-mentalitetin-e-ibrahimovicit"

Futboll

Gazeta Express

09/05/2026 11:21

Luke Shaw çuditet me jetesën e Ronaldos dhe me mentalitetin e Ibrahimovicit

Futboll

Gazeta Express

09/05/2026 11:21

Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Luke Shaw, ka folur hapur për figurat legjendare që kanë ndikuar në karrierën e tij te “Djajtë e Kuq”, duke veçuar profesionalizmin e jashtëzakonshëm të Cristiano Ronaldos dhe mentalitetin e egër fitues të Zlatan Ibrahimovicit.

Duke kaluar më shumë se një dekadë te klubi i Manchesterit, reprezentuesi i Anglisë ka ndarë dhomën e zhveshjes me disa prej talenteve më të mëdhenj në historinë e futbollit.

Shaw ka folur për lojtarët që i kanë lënë përshtypjen më të madhe gjatë karrierës së tij.

Ai veçoi Ronaldon si figurën më të spikatur mes ish-bashkëlojtarëve të tij, veçanërisht gjatë rikthimit të sulmuesit portugez në “Old Trafford”.

Ai gjithashtu pranoi se ishte i mahnitur nga fiziku i Ibrahimovicit, duke thënë se suedezi kishte një qasje shumë intensive, jo vetëm në ndeshje por edhe në seancat më të qeta stërvitore.

Ronaldo u rikthye te Manchester Unitedi në vitin 2021 dhe, pavarësisht përfundimit të diskutueshëm të atij kapitulli, Shaw tha se të shihje nga afër rutinën e përditshme të pesë herë fituesit të Topit të Artë ishte një përvojë e fuqishme.

Në një intervistë të fundit, Shaw shpjegoi se sa shumë i kishte rënë në sy përkushtimi i Ronaldos kur të dy stërviteshin së bashku në “Carrington”.

“Ndjej se kam qenë me shumë fat me lojtarët me të cilët kam luajtur,” tha mbrojtësi i majtë në faqen zyrtare të klubit. “Mund të përmend shumë, por mendoj se numri një është dhe duhet të jetë Cristiano. Mund ta shohësh shumë lehtë pse ka qenë në majë për kaq gjatë. Përkushtimi i tij, sa profesional është”, shtoi ai.

“Ai ka qenë një nga lojtarët më të mirë në botë për shumë e shumë vite, por thjesht duke parë mënyrën si jeton, si përgatitet, pra përkushtimin e tij për atë që bën para stërvitjes dhe pas stërvitjes. Ishte vërtet një kënaqësi ta shihje këtë”, u shpreh ai.

Shaw gjithashtu veçoi mentalitetin që Ibrahimovic solli në Old Trafford pas ardhjes së sulmuesit suedez në vitin 2016. Mbrojtësi madje pranoi se një skuadër duhet të ketë një figurë si Ibrahimovic në dhomën e zhveshjes.

“Nuk mendoj se kam hasur dikë si ai më parë,” tha ai. “Mentaliteti i tij fitues ishte diçka që nuk e kam parë. Shumë lojtarë të mëdhenj kanë mentalitet fitues, por i tij ishte shumë, shumë i madh. Edhe në lojërat e vogla në stërvitje, ai gjithmonë donte të fitonte. Nëse nuk fitoje dhe ishe në skuadrën e tij, atëherë do ta kuptoje”, bëri me dije anglezi.

“Ai ishte shumë, shumë agresiv. Dhe ishte i tillë, por mendoj se të duhen njerëz të tillë në ekip. Të duhet dikush i tillë. Ai ishte gjithashtu shumë i përkushtuar. Mendoj se ishte në kulmin e tij gjithashtu. Por po, ishte një karakter shumë i mirë dhe të gjithë e donin. Nuk mendoj se kishte dikë që nuk shkonte mirë me të”, e mbylli Shaw./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement