Shumë njerëz janë duke marrë këshilla shëndetësore nga rrjetet sociale. Dietat e ndryshme, “ilaçe” që s’janë ilaçe dhe dezinformata që rrezikojnë shëndetin, na shërbehen n’ekrane falë algoritmit. Një shkim nga “Suzanne Podcast” që emitohet të premteve në T7.
Para disa javëve e kemi pasë Dr. Rita Parashumti mysafire në podkastin tonë me diskutu jo vetëm për punën e saj si profesioniste të mjekësisë preventive dhe jetëzgjatësisë, por edhe për një problem në rritje që po godit shtresa të gjana të shoqnisë, sidomos gratë. Ky episod u realizu si pjesë e projektit tonë “Gratë, e vërteta, dhe algoritmi”.
Masi jemi tu jetu e tu punu në një botë ku një video 30-sekondëshe mundet mu dokë ma bindëse (e ma e lehtë) se një konsultë me mjekun, pyetja nuk osht ma nëse po ndodh kjo, por sa e rrezikshme osht kjo tendencë me ja lëshu n’dorë shëndetin tonë “këshillave” n’rrjete sociale.
Rrjetet sociale, sidomos TikToku, janë kthy në një nga burimet kryesore të (dez)informatave për shëndetin, veçanërisht për të rijtë. Një rritje masive e përmbajtjes “health & wellness” po vërehet sidomos vitet e fundit, me mbi 1.5 miliardë përdorus globalë dhe një rritje prej mbi 600% të përmbajtjes shëndetësore vetëm në një periudhë të shkurtër1 . Por problemi nuk osht sasia e informatave – po cilësia.
Studimet tregojnë edhe një realitet shqetësues: një pjesë e madhe e ktyne informatave osht krejt e pasaktë. Dr.Rita Parashumti në podkastin tonë tregon se “këshillat e rrejshme mjekësore kanë ma së shumti ndikim sepse po transmetohen ma lehtë sepse janë ma fitimpruse. Njerëzit të vërtetën po pritojnë me dëgju sepse osht shumë ma ‘brutale’ dhe kërkon shumë prej teje. Influencerat po e shfrytëzojnë dëshpërimin me shitë diçka magjike”.
Për shembull, një analizë e fundit zbuloi se deri në 56% e përmbajtjeve mbi shëndetin mendor në rrjete sociale përmbajnë dezinformata ose pretendime të pambështetuna2. TikTok rezulton ndër platformat më problematike, me përqindje veçanërisht të lartë të informacionit të gabuar për tema si ADHD apo autizmi.
Në fund, fenomeni nuk osht veç për mu kritiku, por edhe për mu diskutu dhe kuptu. Njerëzit po kërkojnë përgjigje të shpejta, të aksesushme dhe pa kosto – diçka që sistemi tradicional shëndetësor shpesh nuk e ofron. Por zavendësimi i mjekut me algoritmin e ka një çmim. Shpesh shumë ma t’shtrejtë për shëndet.
Zgjidhja nuk osht mu largu nga rrjetet sociale, por me zhvillu një lloj “literacie digjitale shëndetësore”: me ditë kujt m’i besu, qysh me kërku burimet e informatave, dhe mbi të gjitha – me kuptu që jo çdo video që duket bindëse osht edhe e vërtetë.
Shkrimi është realizuar me mbështetjen e projektit “Mbështetje për Shoqërinë Civile në Kosovë”, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i zbatuar nga LuxDev, Agjencia e Bashkëpunimit për Zhvillim e Luksemburgut.
Përmbajtja e këtij podcasti është përgjegjësi e vetme e Suzanne Media dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron qëndrimet e Dukatit të Madh të Luksemburgut.