Real Madrid ka marrë një goditje të rëndë para përballjes së madhe ndaj Barcelona, pasi Fede Valverde nuk do të jetë në dispozicion për El Clasicon pas incidentit të rëndë në stërvitje.
Sipas raportimeve të El Chiringuito dhe El Mundo, mesfushori uruguaian ka pësuar një goditje të fortë në kokë gjatë përleshjes me Aurelien Tchouameni, çka ka bërë që mjekët t’i rekomandojnë pushim të plotë për të paktën një javë nga stërvitjet dhe ndeshjet.
Raportet bëjnë të ditur se pasi u rrëzua dhe goditi kokën në tavolinë, Valverde humbi përkohësisht kujtesën, ndërsa gjendja e tij shkaktoi shqetësim të madh brenda klubit madrilen, përcjell Gazeta Express.
Burimet pranë ekipit tregojnë se lojtarët e gjetën Valverden të shtrirë në tokë, duke gjakosur dhe në gjendje gjysmë të pavetëdijshme, pasi kishte goditur ballin gjatë rënies.
Ky incident vjen pas tensioneve të shumta në dhomën e zhveshjes së Real Madridit gjatë ditëve të fundit, ku konflikti mes Valverdes dhe Tchouamenit përfundoi në përleshje fizike.
Pas ngjarjes, uruguaiani u dërgua menjëherë në spital për trajtim mjekësor, ndërsa më vonë u konfirmua se ai është larguar dhe po rikuperohet në shtëpi.
/Gazeta Express/