Ekspertë nga Finlanda, Polonia, Suedia dhe strukturat e NATO-s kanë ngritur shqetësime për intensifikimin e kërcënimeve hibride nga Rusia, duke përfshirë migracionin e instrumentalizuar, sabotimin e infrastrukturës kritike, sulmet kibernetike dhe rekrutimin e agjentëve të rinj për operacione të ulëta kostoje në Evropë.
Dr. Matti Pesu, bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Instituti Finlandez i Çështjeve Ndërkombëtare, tha se “Rusia filloi të orkestronte migrimin në Finlandë në vitin 2023”, duke e cilësuar këtë si pjesë të presionit të ri ndaj kufijve të NATO-s. Ai theksoi se, ndonëse numrat nuk ishin të mëdhenj krahasuar me Poloninë dhe Lituaninë, ato përbënin “një rrezik që duhet marrë seriozisht”.
Sipas tij, reagimi i Helsinkit ishte i drejtpërdrejtë.
“Finlanda ka mbyllur të gjithë kufirin tokësor me Rusinë në fund të vitit 2023.” Megjithatë, Pesu paralajmëroi për kujdes në interpretim të situatës, duke shtuar se “nuk ka gjasa që kjo luftë hibride të shndërrohet në një konflikt të drejtpërdrejtë Rusi–NATO”.
Nga Polonia, Dr. Michał Piekarski i Universitetit të Wrocław e përshkroi situatën si të vazhdueshme dhe të paparashikueshme. “Pyetja nuk është nëse do të ketë një akt tjetër sabotimi, por kur,” u shpreh ai, duke theksuar se objektiv i mundshëm mbetet infrastruktura hekurudhore.
“Agresori zgjedh vendin dhe metodën e sulmit,” tha Piekarski, duke shtuar se hekurudha polake është kritike si për transport civil, ashtu edhe për eksportin e grurit ukrainas dhe mbështetjen logjistike për Ukrainën. Ai paralajmëroi se, në rast krize, ajo do të ketë rol kyç edhe në evakuim të popullsisë.
Duke folur për kufirin me Bjellorusinë, Piekarski u shpreh se numri i kalimeve ilegale është i ulët dhe se “ndoshta është koha për të menduar për demilitarizim të pjesshëm”, por theksoi se shoqëria polake duhet të kuptojë se “nuk jemi më në gjendjen e paqes së 30 viteve të fundit”.
Nga Suedia, Dr. Niklas Nilsson nga Universiteti Suedez i Mbrojtjes tha se vendi i tij nuk është i ekspozuar në të njëjtin nivel si Polonia, por ka përjetuar rritje të spiunazhit dhe sulmeve kibernetike. “Pas vitit 2022 kemi parë disa raste që kanë përfunduar në gjykatë,” tha ai, duke shtuar se aktiviteti hibrid është realitet për vendet që mbështesin Ukrainën.
Nilsson përmendi edhe aktivitetin e “flotës në hije” ruse, duke theksuar se “roja bregdetare ka ndaluar tashmë katër anije të tilla”. Ai paralajmëroi se dimensioni emocional është pjesë kyçe e kërcënimeve hibride: “Ato janë më efektive kur ndryshojnë mënyrën se si ne e perceptojmë realitetin.”
Nga struktura e NATO-s, major Festim Alimadhi nga NATO COE DAT theksoi se kërcënimet hibride përfshijnë si elemente ushtarake ashtu edhe jo-ushtarake. “Terrorizmi nuk ka nevojë të vrasë shumë njerëz për të shkaktuar dëme të mëdha,” tha ai, duke përmendur raste të sabotimeve që kanë shkaktuar humbje të mëdha ekonomike.
Sipas tij, disa forma moderne të sabotimit duhet të trajtohen si pjesë e luftës hibride, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në sistemet financiare dhe infrastrukturore.
Ndërkohë, Dr. Filip Bryjka nga Instituti Polak i Çështjeve Ndërkombëtare tha se Rusia ka ndryshuar mënyrën e rekrutimit të agjentëve, duke përdorur gjithnjë e më shumë individë të pakualifikuar të rekrutuar online dhe të motivuar financiarisht.
“Ata fillojnë me detyra të thjeshta si grafite apo propagandë, pastaj kalojnë në operacione më të sofistikuara, si vendosja e kamerave në pika kritike,” tha Bryjka, duke shtuar se Rusia po synon të ndikojë në uljen e mbështetjes për Ukrainën edhe duke rekrutuar shtetas nga vende të ndryshme.
Ai paralajmëroi gjithashtu se “Rusia nuk i ka përdorur ende të gjitha kapacitetet e saj” dhe se qëllimi i saj është të testojë dobësitë e vendeve evropiane dhe të shpërndajë burimet e tyre të sigurisë.
Në përfundim, ekspertët theksuan nevojën për një qasje më proaktive të Perëndimit, duke përfshirë edhe veprime të kundërta në fushën e sigurisë hibride, ndërsa paralajmëruan se konflikti modern nuk zhvillohet më vetëm në fushëbetejë, por gjithnjë e më shumë në hapësirën dixhitale, ekonomike dhe psikologjike.
The Geopost