A mundet një fjali e thënë kalimthi të ndikojë në rrjedhën e një jete?
Pesë shkrimtarë kanë rrëfyer komentet që, në mënyra të ndryshme, u ndryshuan mënyrën se si e shihnin veten dhe botën përreth.
“Ti ke nevoja të veçanta” – Matt Haig
Kur ishte 14 vjeç, Matt Haig nisi një shkollë të re në Newark, Nottinghamshire. Nuk ishte hera e parë që ndryshonte shkollë, por mosha e adoleshencës e bëri përvojën edhe më të vështirë. Pak javë pas nisjes së vitit shkollor, mësuesi i historisë, z. Philips, e thirri pas mësimit dhe i tha se mendonte se do të ishte mirë që ai të ndiqte një klasë për nxënës me “nevoja të veçanta”.
Për një adoleshent në vitin 1989, në një shkollë publike britanike, një etiketim i tillë ishte i rëndë. Haig tregon se në atë kohë gjithçka shihej në mënyrë të prerë: ose ishe “normal”, ose ishe “me nevoja të veçanta”. Ai dhe prindërit e tij e kundërshtuan këtë sugjerim dhe ai nuk u transferua kurrë në atë klasë. Megjithatë, dëmi emocional ishte bërë.
Për vite me radhë, Haig e pa veten si të ndryshëm, si dikush që nuk përshtatej. Vetëm shumë më vonë ai kuptoi se ishte autik dhe kishte ADHD, një diagnozë që erdhi edhe pas diagnostikimit të djalit të tij me autizëm.
Megjithatë, komenti i mësuesit pati edhe një ndikim të papritur. Ai e shtyu Haig të përqendrohej te historia, për t’i provuar mësuesit dhe botës se nuk ishte dikush që duhej lënë mënjanë. Më vonë ai mori notë të lartë në histori dhe studioi këtë degë në universitet.
Sot, Haig e sheh ndryshe atë përvojë. Ai thotë se problemi nuk ishte neurodivergjenca, por vetëstigma. Ajo që dikur e bënte të ndihej i largët apo i çuditshëm, më vonë u kthye në një forcë që e ndihmoi të shkruante romane dhe të lidhej me njerëzit.
“Ti je ende e shëndetshme” – Megan Nolan
Për Megan Nolan, një koment i bërë nga një administratore e shkollës së mesme u perceptua fillimisht si ofendim.
Ajo ishte 15 vjeçe dhe kishte rënë të fikët, pasi nuk kishte ngrënë për dy ditë. Në atë periudhë, kishte humbur shumë peshë dhe po përballej me depresion dhe një raport të rrezikshëm me ushqimin.
Kur administratorja i tha: “Ti je ende e shëndetshme”, Nolan u ndje e lënduar. Në mendjen e saj, të quheshe “e shëndetshme” nënkuptonte diçka krejt të kundërt me atë që ajo dëshironte të dukej apo të ndihej. Ajo e fshiu nga kujtesa pjesën tjetër të fjalisë, ku gruaja e paralajmëronte se nuk do të ishte e shëndetshme për shumë gjatë nëse vazhdonte ashtu.
Vetëm një vit më vonë, gjatë funeralit të stërgjyshes së saj, Nolan nisi ta kuptonte ndryshe atë koment. Duke reflektuar mbi plakjen, trupin dhe shëndetin, ajo kuptoi se të qenët e shëndetshme nuk duhej të ishte diçka fyese apo e padëshiruar.
Nga ai moment, fjalia që dikur e kishte lënduar u kthye në një pikë kthese. Ajo vendosi të mos jetonte më në një mënyrë që e kthente shëndetin në armik.
“Nuk mendoja se mund të ishe vetvetja dhe të merreshe seriozisht” – Yomi Adegoke
Yomi Adegoke kujton një mbrëmje në një event të industrisë, ku një vajzë e re iu afrua e emocionuar dhe i tha se e frymëzonte. Ajo ishte një shkrimtare aspirante dhe i tha se e admironte faktin që Adegoke ishte gazetare serioze, por njëkohësisht nuk fshihej pas një imazhi të ngurtë.
Komenti, i thënë në një ambient të zhurmshëm dhe informal, nuk iu duk menjëherë i rëndësishëm. Por të nesërmen, fjalët i mbetën në mendje. Adegoke nisi të reflektonte mbi mënyrën se si ishte përpjekur të balanconte autenticitetin me respektin profesional.
Si grua me ngjyrë që kishte punuar shpesh në ambiente kryesisht të bardha, ajo kishte qenë gjithmonë e vetëdijshme për rrezikun e nënvlerësimit. Për këtë arsye, kishte menduar se duhej të frenonte disa pjesë të personalitetit të saj për t’u marrë seriozisht.
Më vonë, ajo e kuptoi se komenti i asaj të panjohure ishte ndër gjërat më të bukura që i kishte thënë dikush. Për dikë tjetër, Adegoke ishte bërë prova se nuk ishte e nevojshme të hiqje dorë nga vetja për të pasur sukses.
“Ti ha shumë” – Bella Mackie
Bella Mackie kujton një koment të dhimbshëm nga fëmijëria, kur ishte vetëm tetë apo nëntë vjeçe. Ajo ndodhej me nënën dhe motrën në një dyqan pranë shtëpisë, kur gruaja e pronarit e preku në bark dhe i tha me zë të lartë: “Ti ha shumë”.
Për Mackie, ai ishte momenti kur e pa trupin e saj ndryshe për herë të parë. Deri atëherë, pesha nuk kishte qenë një çështje që ndikonte në jetën e saj. Por pas atij komenti, ajo nisi të ndihej e gjykuar dhe e pasigurt.
Në vitet ’90, kur idealet e dobësisë ekstreme dominonin kulturën pop, nuk ishte e vetmja herë që ajo u përball me mesazhe të tilla. Megjithatë, ai ishte komenti i parë i drejtpërdrejtë, i thënë ballë për ballë, dhe mbeti i gdhendur në kujtesën e saj.
Sot, Mackie pranon se ka kaluar në madhësi të ndryshme trupore, por nuk është ndjerë kurrë plotësisht e qetë me peshën e saj. Ajo nuk e di nëse gruaja e tha si shaka, pa menduar, apo si një mënyrë të gabuar për t’u afruar. Por, pavarësisht arsyes, ajo thotë se ende e ndien atë prekje dhe atë fjali me të njëjtën qartësi.
“Duhet të punosh dy herë më shumë” – Nikesh Shukla
Nikesh Shukla është rritur duke dëgjuar nga nëna e tij se, si fëmijë emigrantësh, duhej të punonte dy herë më shumë për të pasur gjysmën e mundësive. Për shumë fëmijë me prejardhje të ngjashme, kjo fjali është e njohur. Por për Shukla, ajo u kthye në një barrë të rëndë.
Ai punoi shumë, por shpesh nuk u ndje kurrë mjaftueshëm i mirë. Kërkoi vazhdimisht miratim, u përpoq të shkëlqente në shkollë dhe më vonë në karrierë, duke e lidhur vlerën e tij me punën e pandërprerë.
Për një kohë të gjatë, ai e mbajti këtë zemërim ndaj prindërve, duke menduar se i kishin vendosur një peshë të padrejtë mbi supe që në fëmijëri. Por një fjali e dëgjuar nga një mik, të cilit ia kishte thënë terapisti, ia ndryshoi këndvështrimin: problemi ishte se prindërit kishin pasur të drejtë.
Ata nuk po e rëndonin pa arsye, por po përpiqeshin ta përgatisnin për një shoqëri ku mundësitë nuk shpërndaheshin në mënyrë të barabartë. Shukla kuptoi se zemërimin e kishte drejtuar gabimisht. Prindërit i kishin dhënë këshillën më të mirë që dinin, me mjetet që kishin.
Në fund, ai pranon se puna e palodhur e ka sjellë aty ku është sot, por shton se zemërimi nuk duhet të drejtohet ndaj prindërve që paralajmërojnë fëmijët e tyre, por ndaj sistemit që i detyron ata të japin paralajmërime të tilla. /GazetaExpress/