Zgjedhjet e 7 qershorit janë referendum kundër rrëshqitjes së Kosovës drejt një sulltanati tipik ballkanik - Gazeta Express
string(106) "zgjedhjet-e-7-qershorit-jane-referendum-kunder-rreshqitjes-se-kosoves-drejt-nje-sulltanati-tipik-ballkanik"

OP/ED

Gazeta Express

06/05/2026 12:54

Zgjedhjet e 7 qershorit janë referendum kundër rrëshqitjes së Kosovës drejt një sulltanati tipik ballkanik

OP/ED

Gazeta Express

06/05/2026 12:54

Argumentohet shpesh, jo pa bazë, se Kosova është demokracia më e përparuar në Ballkanin Perëndimor, gjë që konfirmohet edhe nga disa indekse të rëndësishme ndërkombëtare si Raporti i Demokracisë nga Instituti V-Dem.

Kjo arritje nuk është vetëm meritë e shoqërisë sonë, por lidhet edhe me faktin që shtetndërtimi ynë është i dizajnuar, mbështetur dhe mbikëqyrur nga demokracitë më të përparuara perëndimore, mbi premisat e demokracisë liberale, një sistem qeverisës ky i bazuar në ndarjen e pushteteve, zgjedhje të lira, lirinë e mediave dhe mbrojtjen e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut, mes të tjerash.

Në këtë kontekst, demokracia liberale nuk u ndërtua natyrshëm në Kosovë. Ishte Perëndimi që na i dha mjetet politike, ligjore dhe financiare, për ta shmangur rrëshqitjen drejt një sulltanati tipik ballkanik, apo autokracie elektorale.

Me “sulltanat ballkanik” nënkuptoj qeverisje autokratike apo regjime hibride, ku liderët politikë janë aq dominues, saqë janë thuajse të barabartë me shtetin, dhe i përdorin pa kufizim të gjitha resurset e tij për ta ngulfatur kritikën dhe për mbajtur veten në pushtet. Pra, bëhet fjalë për regjime si ai në Turqi, Serbi apo Shqipëri, ku ka garë politike, por ajo është më shumë formale, sepse fundi është i paracaktuar.

Kosova arriti ta shmangë këtë model edhe falë mbështetjes së konsiderueshme financiare dhe teknike perëndimore për t’i ndërtuar institucionet sipas parimeve demokratike, si dhe për forcimin e mediave dhe shoqërisë civile, me qëllim që ato të luajnë rolin e kërkuesit të llogarisë.

Të gjitha këto instrumente ishin dhe mbeten të papërkryera, por megjithatë në shumë aspekte kyçe funksionuan dhe na edukuan. Sollën rotacione të shumta pushtetesh, liri të konsiderueshme të mediave, e madje edhe fitoren politike të një partie anti-sistem si Lëvizja Vetëvendosje. Në këtë drejtim, Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që ka përjetuar disa herë radhazi ndryshim pushtetesh.

Kosova sot klasifikohet si demokraci elektorale, pra ku pushteti zgjidhet lirshëm, por institucionet mbikëqyrëse ende nuk janë aq të forta për ta kufizuar atë. Kjo për shkak se akoma kemi traditë dhe kulturë të mangët demokratike, që kërkon kohë për t’u zhvilluar dhe përmirësuar.

Këto arritje të Kosovës në bashkëpunim me Perëndimin sot janë në rrezik.

Zgjedhjet që pritet të mbahen më 7 qershor janë një sprovë e madhe për vendin. Rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të përcaktojë nëse Kosova do ta vazhdojë trajektoren e saj të konsolidimit të demokracisë, apo nëse do të vazhdojë të rrëshqasë drejt autokracisë apo sulltanatit ballkanik, në mëshirën dhe diktatin e një njeriu.

Marrëdhënia e Albin Kurtit me demokracinë liberale është ajo e një kameleoni që e ndryshon qëndrimin varësisht nga interesat e momentit. Kur ishte në opozitë si lojtar anti-sistem, Albin Kurti qeveritë e zgjedhura me votë i konsideronte jolegjitime dhe gjithë rendin juridik në Kosovë e vlerësonte si neo-kolonial dhe të imponuar.

Kurti nuk hezitonte as të përdorte dhunë dhe mjete sabotuse kundër rendit demokratik dhe as ta përdorte hapësirën e lirë të krijuar nga demokracia liberale për t’u forcuar politikisht, si për shembull mediat dhe shoqërinë civile.

Megjithatë, me të ardhur në pushtet, Kurti bëri një kthesë 180 shkallë, duke u pozicionuar në tifoz dhe promovues të sukseseve demokratike të Kosovës, sidomos në arenën ndërkombëtare, ku për nevojat e sigurimit të mbështetjes u përpoq të ndërtonte imazh në kontrast me Vuçiqin dhe liderët e tjerë rajonalë si Edi Rama.

Por, gjatë gjithë mandatit të kaluar, Kurti i dha të gjitha shenjat e para të autoritarizmit dhe dëshirës për t’i gërryer mekanizmat e kontrollit mbi pushtetin e tij. Tipar karakteristik i çdo lideri autoritar është barazimi i interesit të tij me interesat e shtetit, si dhe mbivendosja mbi shoqërinë si figurë moralisht superiore dhe në marrëdhënie të drejtpërdrejtë shpirtërore me “popullin”.

Në këtë mënyrë, lideri autoritar e legjitimon sulmin ndaj institucioneve si diçka që duhej bërë gjasme në emër të çkapjes, luftës kundër korrupsionit, apo edhe luftës kundër armiqve të jashtëm si Serbia.

Si çdo autoritar dhe populist tjetër, Kurti i ka keqpërdorur pa pikë hezitimi dhe në mënyrë krejt transparente mjetet e shtetit për fuqizim të pozitës së tij dhe për efekte elektorale; u ka fryrë nacionalizmit dhe rreziqeve nga armiku i jashtëm (Serbia) për ta delegjitimuar kritikën e brendshme (opozita, media, shoqëria civile), dhe për ta legjitimuar emërimin e besnikëve politikë në të gjitha institucionet publike.

U pa në mandatin e parë se çfarë fati e patën të emëruarit – si për shembull ata në Komisionin e Pavarur të Mediave apo në Bordin e RTK-së – që refuzuan të ndiqnin urdhra politikë por zbatuan ligjin. Përfunduan të shënjestruar si kriminelë apo tradhtarë. Të tjerët që emërohen sot e dinë se nuk do të guxojnë ta përsërisin “gabimin”.

Kosova vazhdon të ketë hapësirë demokratike – media kritike, opozitën dominuese në pushtet lokal, etj. – jo për shkak se Kurti është tolerant ndaj tyre, përkundrazi, ai ende nuk i ka në dorë të gjitha instrumentet për t’i nënshtruar ata.

Por, këto tendenca autoritare nga Albin Kurti nuk kaluan pa u vënë re. Për shembull, Kosova, përkundër përmirësimeve në vitin e fundit, ndërmjet viteve 2022 dhe 2024, ra me 43 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, duke reflektuar jo vetëm përkeqësimin e mjedisit për mediat, por edhe një trend të dobësimit të demokracisë.

Albin Kurti ishte i gatshëm të hiqte dorë nga mandati katërvjeçar në qeverisje sepse ai nuk është i interesuar të qeverisë duke dhënë llogari, por për të instaluar kontroll të plotë.

Kurti dëshiron të ketë nën kontroll qeverinë, kuvendin, institucionet e pavarura, presidentin, mediat, gjykatat – kjo u pa edhe tani me shpejtësinë me të cilën u shfrytëzua ky mandat i abortuar për t’i vënë nën kontroll bordet si ai i KMP-së dhe RTK-së. Për ta arritur këtë qëllim, Kurti nuk i bëhet vonë nëse vendi shkon tri herë në zgjedhje të parakohshme.

Tani mbetet në duart e votuesve kosovarë për të vendosur nëse me vetë vullnetin e tyre do ta mbështesin rrëshqitjen e Kosovës drejt një sulltanati ballkanik si vendet fqinje. Me Kurtin kaq transparent në synimet e tij, votuesit nuk mund të thuhet se nuk janë paralajmëruar.

Advertisement
Advertisement
Advertisement