Arsenal – Atletico, beteja e madhe për finalen e Championsit - Gazeta Express
string(57) "arsenal-atletico-beteja-e-madhe-per-finalen-e-championsit"

Sport

Gazeta Express

05/05/2026 10:13

Arsenal – Atletico, beteja e madhe për finalen e Championsit

Sport

Gazeta Express

05/05/2026 10:13

“Emirates Stadium” do të jenë zjarr sonte, teksa Arsenali e pret Atlético Madridin në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Pas një përballjeje të parë të fortë dhe taktike në Madrid, gjithçka mbetet e hapur dhe një biletë për finalen e madhe të Budapestit është ende në lojë.

Në “Metropolitano”, ekipet luajtën baras, 1:1, në një lojë që nuk ishte gjithaq e bukur për sy, shkruan “Gazeta Express”.

Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta synon ta shfrytëzojë avantazhin e fushës dhe formën e mirë në shtëpi.

“E dimë sa e vështirë do të jetë. Atletico është një ekip që nuk dorëzohet kurrë, por ne kemi besim te mënyra jonë e lojës dhe te tifozët tanë”, është shprehur Arteta.

Nga ana tjetër, madrilenët e Diego Simeones mbeten një nga skuadrat më të rrezikshme në Evropë në ndeshje të tilla.

“Këto janë sfidat që na pëlqejnë. Duhet të jemi perfektë në çdo detaj. Një moment mund të vendosë gjithçka”, ka deklaruar trajneri argjentinas.

“Duhet të jemi të duruar dhe inteligjentë. Nuk mund të sulmojmë pa mendje kundër një skuadre si Atletico”, ka theksuar Arteta.

Ndërsa Simeone ka shtuar: “Në këto ndeshje, karakteri është po aq i rëndësishëm sa edhe cilësia”.

Arsenali ka qenë mbresëlënës në këtë edicion të Championsit duke i shënuar mbi 2 gola mesatarisht për ndeshje dhe duke e fituar shumicën e takimeve në shtëpi.

Kjo sfidë pritet të jetë një përplasje e fortë mes filozofive të ndryshme: loja e shpejtë dhe sulmuese e Arsenalit kundër disiplinës taktike dhe kundërsulmit vdekjeprurës të Atletico Madridit.

Një statistikë interesante është se Atletico ka kaluar tutje në më shumë se gjysmën e rasteve kur e ka luajtur ndeshjen e kthimit si mysafir në fazat me eliminim direkt,

Ndërsa Arsenali e ka një rekord shumë të fortë në “Emirates” këtë sezon.

Arsenali i ka fituar 5 nga 6 ndeshjet e fundit në “Emirates” në Champions këtë sezon, me një mesatare prej 2.3 golash për ndeshje.

Nga ana tjetër, skuadra e Diego Simeones i ka pësuar vetëm 4 gola në 8 ndeshje në fazën me eliminim direkt, duke qenë një nga mbrojtjet më të forta të kompeticionit.

Atletico Madrid ka arritur në gjysmëfinale të Championsit disa herë në dy dekadat e fundit, ndërsa për Arsenalin ky është një nga rikthimet më të rëndësishme në këtë fazë pas shumë vitesh.

Me një vend në finalen e madhe në horizont, presioni dhe emocionet janë në maksimum.

Tifozët e presin një natë të paharrueshme, ndërsa dy skuadrat do të japin gjithçka për ta shkruar historinë.

Në fund, siç ndodh shpesh në Champions League, detajet e vogla do ta bëjnë diferencën.

Dhe sonte, në Londër, në ndeshjen që do të nisë prej orës 21:00, njëri nga dy gjigantët do ta hedhë hapin e madh drejt lavdisë evropiane. /Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement