Cesc Fàbregas shpjegon pse nuk është me nxitim për t’u larguar nga Como, edhe pse do të dëshironte të punonte në Premierligë “pas 12, 15 vitesh”, sepse atje ka kontroll të plotë mbi klubin.
“Të gjitha vendimet e futbollit i marr unë, e kam dizajnuar edhe palestrën,” tha ai.
Trajneri ka udhëhequr Comon nga Serie B në elitën e Serie A, deri në gjysmëfinale të Kupës së Italisë dhe tani skuadra po lufton për një vend në Ligën e Kampionëve, dhe kjo brenda vetëm tre vitesh.
Kjo ecuri ka tërhequr shumë vëmendje, madje janë përmendur interesime nga Chelsea dhe Arsenali, dy klubet ku ai ka luajtur si futbollist, por Fàbregas këmbëngul se nuk ka nxitim për t’u larguar nga “Stadio Sinigaglia”.
“Premierliga është liga më e mirë në botë,” tha Fàbregas për “Telegraph Sport”.
“Gjithmonë kam qenë shumë, shumë i qartë për këtë. E kam ndjerë si lojtar, e ndjej si trajner, si tifoz. Por [José] Mourinho më tha një ditë kur isha te Chelsea: ‘Unë ende kam 30 vjet për të punuar’. Kështu që unë mund të jem këtu për 10 vjet, dhe ende mund të shkosh në Premierligë pas 12, 15 vitesh”, tha ai fillimisht.
“Futbolli është shumë i paparashikueshëm, ndryshon në një sekondë. Një ditë je më i miri, të nesërmen je më i keqi. Prandaj, le ta shijojmë momentin. Mua më pëlqen ta shijoj momentin. Është e bukur ajo që po jetojmë këtu. Le të shohim çfarë sjell e ardhmja”, shtoi ai.
Duke parë sa shpejt disa klube ndërrojnë trajnerë, ai ka edhe më shumë arsye të qëndrojë te Como, ku ai është shumë më tepër se thjesht trajner.
Kur iu bashkua klubit si lojtar në vitin 2022, spanjolli gjithashtu investoi si aksionar minoritar dhe i është dhënë kontroll i plotë nga pronarët miliarderë familja Hartono.
“Unë i marr të gjitha vendimet e futbollit. Drejtori sportiv është çdo ditë me mua dhe e shohim futbollin në të njëjtën mënyrë. Transferimet i bëjmë me të dhëna, me skauting, por duhet të jetë diçka në të cilën besoj unë. Duhet të jetë lojtar për të cilin jam i bindur”, u shpreh trajneri spanjoll.
“Jam shumë i lumtur dhe me fat që kemi një president që më beson shumë dhe më ka dhënë besimin të marr të gjitha vendimet e futbollit. Kjo për mua është shumë e rëndësishme”, shtoi ai.
Fàbregas tregoi se dikur e hapte vetë portën e qendrës stërvitore në orën 6 të mëngjesit dhe shpjegoi sa shumë ka ndikuar në ndërtimin e klubit sipas vizionit të tij.
“Palestrën e kam dizajnuar me arkitektin. Kam dizajnuar edhe xhamin përpara. E kam mësuar nga Arsène [Wenger]. Mbaj mend që palestra duhet të shohë fushat për lojtarët e dëmtuar”, tha ai.
“Ushqimi vjen këtu, ishte ndërtesë e vjetër dhe unë e bëra ashtu siç mendoj se është e duhura. Edhe fushat, gjithçka. Në stadium thashë se duhet një fushë më e madhe sepse jemi ekip që duam topin, posedimin. Prandaj e bëra më të madhe”, bëri me dije spanjolli.
“Në Itali njerëzit thoshin ‘jo, jo, pse 65 metra? Bëjeni 63 që të mbrohet më mirë’. Pra është një koncept i ndryshëm i mënyrës si e sheh futbollin”, vazhdoi ai.
Tani që janë shumë pranë kualifikimit në Evropë, Fàbregas thotë se është i emocionuar për atë që vjen më pas.
“E filluam këtë rrugëtim jo nga kati i parë, por nga minus 10. Kemi ecur përpara dhe jemi përpara planit. Ky klub ka shumë potencial, por kjo është ajo që më është dhënë. Është bukuria e këtij projekti: të fillosh nga asgjëja për t’u bërë një ditë klub evropian”, tha Fabregas.
“Po e shijoj atë që po bëj. Jam në një vend të bukur me njerëz të mrekullueshëm që më lejojnë të punoj dhe më besojnë. Çdo ditë ndihem si në universitet, sepse çdo ditë marr një sasi të madhe vendimesh. Dhe për mua kjo është e mirë, sepse po mëson më shpejt”, bëri me dije ai.
Disa kishin sugjeruar se Fàbregas do të ishte një trajner i mirë i Italisë, por ai nuk ka nxitim as për këtë.
“Nëse më pyet tani ‘a do të doje të drejtoje një kombëtare?’, do të thosha ‘jo’. Sepse unë e dua të jem trajner çdo ditë në fushë. E dua punën me lojtarët e rinj, seancat individuale. I dua të gjitha”, e mbylli Fabregas./GazetaExpress/