Real Madridi ka kaluar një pjesë të vështirë të sezonit si klub, por kjo nuk ka qenë rasti për Endrick Felipe.
Sulmuesi 19-vjeçar është huazuar tek Olympique Lyonnais gjatë merkatos së dimrit dhe, gjatë kohës së tij në Francë, ka filluar të afirmohet në futbollin evropian.
Në 19 paraqitje në të gjitha garat, Endricku ka regjistruar 8 gola dhe 7 asistime.
Goli i tij i fundit erdhi në fitoren 4-2 ndaj Stade Rennais, rezultat që e ka afruar Lyonin drejt kualifikimit në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Pas ndeshjes, Endricku foli për mediat dhe la të kuptohet se nuk do ta kishte problem të qëndronte në Francë.
“E ardhmja ime? Ndihem shumë mirë këtu, jam shumë i lumtur. Jam i kënaqur me bashkëlojtarët dhe pjesën tjetër ia lë Zotit. Nëse duhet të kthehem te Real Madridi, do të kthehem; nëse duhet të zgjas kontratën këtu, do të ndodhë, do të shohim. Do të më pëlqente të qëndroja këtu; të gjithë po bëjnë maksimumin që të ndihem rehat”, tha ai.
Real Madridi e kishte organizuar huazimin e tij me shpresën që ai të merrte minuta dhe të zhvillohej, pasi progresi i tij kishte ngecur pas transferimit nga Palmeiras në vitin 2024.
Dhe duket se kjo strategji ka funksionuar, gjë që ka sjellë kënaqësi te drejtuesit e klubit.
Për sezonin e ardhshëm, Real Madridi tashmë ka bërë të qartë se Endricku do të jetë pjesë e planeve të ekipit të parë.
Forma e tij e mirë te Lyoni pritet t’i rrisë rëndësinë në skuadër, me mundësi që ai të luftojë për një rol titullari në sezonin 2026-27 që nis në gusht./GazetaExpress/
Top of Form
Bottom of Form