Grupet e organizuara të tifozëve si të Lazios ashtu edhe të Interit do të qëndrojnë jashtë “Stadio Olimpicos” për ndeshjen e Serie A të së shtunës mes dy skuadrave, me ultrasit e Lazios që vazhdojnë protestën e tyre kundër pronësisë së klubit, ndërsa grupet e Interit kanë vendosur t’i bashkohen në shenjë solidariteti.
Sipas “Radio Laziale”, përmes “LaLazioSiamoNoi”, përfaqësues të grupeve të organizuara të tifozëve të Lazios e konfirmuan vendimin, duke shpjeguar se të dy taborët e tifozëve do të mblidhen së bashku në Ponte Milvio para fillimit të ndeshjes.
Bojkoti është pjesë e një proteste më të gjerë që ka karakterizuar gjysmën e dytë të sezonit të Lazios.
Grupet theksuan gjithashtu se vendimi është pjesërisht edhe taktik, pasi finalja e Kupës së Italisë kundër Interit luhet vetëm katër ditë më vonë, dhe qëndrimi jashtë stadiumit shihet si një mënyrë për të ulur tensionin dhe për të ndërtuar unitet para finales në “Stadio Olimpico”.
“Për finalen do të jemi brenda stadiumit,” tha një përfaqësues i grupit të tifozëve.
“Vendimi për të qëndruar jashtë në ndeshjen e kampionatit, së bashku me grupet e organizuara të Interit, u mor gjithashtu për të shijuar përgatitjen së bashku. Një mënyrë për të ulur tensionin dhe ankthin katër ditë para finales së Kupës së Italisë. Do të jetë një mundësi për të qenë bashkë dhe për të përcjellë disa komunikime për tifozët e pranishëm. Të mërkurën do të nevojitet qartësi e madhe dhe të gjithë duhet të jenë të bashkuar. E them që tani: hyni herët të mërkurën”, thuhet tutje./GazetaExpress/