Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaji të pandehurit O. B., i dyshuar për vrasje në tentativë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
O.B. dyshohet se të shtunën pasdite, në tarracën e një lokali në Gjakovë kishte tetntuar ta vriste A.D.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se me datë 2 maj 2026 rreth orës 14:25, në terasën e lokalit “S.” në Gjakovë, i pandehuri, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin A. D. . Fillimisht i pandehuri O. B., e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me shqelm në gjoks, e më pas, pasi i dëmtuari u përpoq të largohej, ka nxjerrë një pistoletë dhe ka shtënë një herë në drejtim të tij, si dhe e ka goditur me kokë duke i shkaktuar lëndime. I dëmtuari është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes; policia ka sekuestruar armën dhe një thikë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Driton Sadiku, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
“Me këtë vendim, i pandehurit O. B., do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 2 maj 2026 deri më 1 qershor 2026. Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.