Shtatë nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë kanë njoftuar se do të rrisin prodhimin e tyre “për të mbështetur stabilitetin e tregut të naftës”, vetëm pak ditë pas një rritjeje të ndjeshme të çmimeve, mes frikës në treg se transporti përmes Ngushticës së Hormuzit nuk do të rifillojë së shpejti.
Arabia Saudite, Rusia, Iraku, Kuvajti, Kazakistani, Algjeria dhe Omani vendosën gjatë një takimi virtual më 3 maj për të rritur prodhimin me 188.000 fuçi në ditë në muajin qershor.
Vendimi vjen pasi çmimet e naftës arritën nivelin më të lartë që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, duke shkuar në 126 dollarë për fuçi më 29 prill, teksa The Wall Street Journal raportoi se presidenti amerikan, Donald Trump, u kishte thënë bashkëpunëtorëve të përgatiteshin për një bllokadë “të zgjatur” të porteve iraniane. Që atëherë, çmimi paksa.
“Vendet do të vazhdojnë të monitorojnë nga afër dhe të vlerësojnë kushtet e tregut, në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të mbështetur stabilitetin e tregut”, u tha në një deklaratë të Organizatës të Shteteve Eksportuese të Naftës (OPEC+).
Megjithatë, edhe pse ky hap mund të sjellë një lehtësim të pjesshëm, ai nuk i ndryshon shkaqet kyç të çmimeve aktuale.
Bllokada e SHBA-së po pengon Iranin të transportojë naftë drejt Kinës, duke shtuar presionet mbi çmimet e larta, që u rritën për shkak të bllokadës iraniane në Ngushticën e Hormuzit, duke ndaluar edhe shtetet e tjera në Gjirin Persik që të dërgojnë furnizime me naftë te klientët në mbarë botën.
Bllokada amerikane ndaj porteve iraniane nisi më 13 prill, pasi bisedimet në Islamabad mes SHBA-së dhe Iranit dështuan të prodhonin një marrëveshje për përfundimin e luftës.
Teherani e nisi bllokadën në Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve ajrore SHBA–Izrael në Iran, të cilat e nisën luftën më 28 shkurt.
Para luftës, rreth 20 për qind e furnizimeve globale me naftë kalonin përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ndaras, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se sulmet e vazhdueshme të Ukrainës ndaj industrisë së naftës ruse po shtojnë gjithashtu presionet mbi çmimet.
“Nëse vëllime shtesë të naftës sonë hiqen nga tregu, çmimet do të rriten edhe më shumë sesa nivelet aktuale, të cilat tashmë janë mbi 120 dollarë për fuçi. Kjo do të thotë se, edhe me vëllime më të ulëta të eksportit, kompanitë tona do të fitonin më shumë para, ndërsa shteti do të merrte më shumë të ardhura”, tha Peskov.
Ditët e fundit, sulmet ukrainase me dronë kanë arritur caqe deri në 1.500 kilometra brenda territorit të Rusisë.
“Është e rëndësishme që çdo goditje të ulë kapacitetet e industrisë ushtarake të Rusisë, logjistikës dhe eksporteve të naftës”, shkroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në rrjetet sociale më 29 prill. /REL