Trajneri i Real Madridit, Álvaro Arbeloa, mund të jetë drejt fundit të aventurës së tij në klub, pas një sezoni zhgënjyes pa trofe dhe me shumë pikëpyetje për të ardhmen.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Espanyolit, ai u pyet për raportimet që lidhin José Mourinho me një rikthim të mundshëm si pasues i tij.
Arbeloa u përgjigj: “E kuptoj çdo pyetje që bëni, por përgjigjja ime do të jetë gjithmonë e njëjtë: e ardhmja është nesër. Çdo ndeshje te Real Madrid do të thotë gjithçka, sepse kështu e jetoj këtë profesion”.
Real Madridi po përballet me një detyrë të vështirë për të rikuperuar diferencën ndaj Barcelona në garën për titullin e La Liga, ndërsa në horizont është edhe “El Clásico” vendimtare.
Një tjetër çështje e nxehtë ishte raporti me Dani Ceballos, pas raportimeve se mesfushori i kishte thënë trajnerit se nuk donte të dëgjonte më prej tij. Arbeloa refuzoi të komentojë publikisht.
“Nuk hap debate publike për situatat me lojtarët. Gjëja e parë që kam mësuar 20 vite më parë është se çfarë ndodh në dhomat e zhveshjes së Real Madridit mbetet aty”, tha ai.
Ai foli edhe për talentin e ri Franco Mastantuono, i cili ka pasur vështirësi të përshtatet pas transferimit të shtrenjtë.
“Ai është shumë i ri, por ka talent dhe pjekuri të madhe. Nuk duket si 18-vjeçar në mënyrën si flet dhe sillet. Ka një të ardhme të madhe”, shtoi ai.
Ndërsa presioni rritet dhe rezultatet mungojnë, e ardhmja e Álvaro Arbeloas te Real Madridi mbetet e pasigurt, me spekulime që vazhdojnë të shtohen për ndryshime të mëdha në stol./GazetaExpress/