1 Maji në zi, 11 punëtorë të vdekur për vetëm katër muaj në Kosovë - Gazeta Express
string(65) "1-maji-ne-zi-11-punetore-te-vdekur-per-vetem-kater-muaj-ne-kosove"

Lajme

Gazeta Express

01/05/2026 10:01

1 Maji në zi, 11 punëtorë të vdekur për vetëm katër muaj në Kosovë

Lajme

Gazeta Express

01/05/2026 10:01

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Kosova po përballet me një rekord negativ sa i përket mirëqenies së punëtorëve.

Vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit, numri i vdekjeve në vendin e punës ka arritur në 11.

Edhe më shqetësues është fakti se tre rastet e fundit fatale ndodhën pikërisht në kohën kur Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, në bashkëpunim me Inspektoratin e Punës, kishte nisur një aksion 15-ditor për inspektimin e vendeve të punës.

Aksioni po zhvillohet në sektorë me rrezikshmëri të lartë, përfshirë ndërtimtarinë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se qëllimi i aksionit është rritja e respektimit të kushteve të sigurisë në punë, në veçanti në sektorët me rrezik të lartë, ku më herët janë raportuar shqetësime për kushtet e punës.

Sipas raporteve të Inspektoratit të Punës, deri më tani janë kryer rreth 294 inspektime në të gjithë Kosovën.

Nga këto kontrolle, është urdhëruar ndalimi i punës në rreth 123 vendpunishte.

Ndërkaq, vazhdimi i punimeve është lejuar vetëm në 48 prej tyre.

Në rastet e tjera, Inspektorati ka ndërmarrë masa si vërejtje apo kërkesa për eliminimin e parregullsive.

Për nga numri i ndalimeve të punimeve kryeson Komuna e Prishtinës, e ndjekur nga Prizreni, Gjilani, Ferizaji dhe Gjakova.

Dënimet për rastet e vdekjeve dhe lëndimeve të rënda në vendin e punës nga ana e Gjykatave në Kosovë megjithatë janë minimale.

Sipas aktgjykimeve në shumicën e rasteve janë shqiptuar vetëm gjoba për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Këto dënime konsiderohen të lehta, sidomos kur merret parasysh se Kodi Penal parasheh dënim deri në 10 vjet burgim për rastet që përfshijnë lëndime të rënda trupore dhe nuk parashikon mundësinë e zëvendësimit me gjobë.

Kur punëtorët humbin jetën në vendin e punës si pasojë e mungesës së masave mbrojtëse nga kompanitë, ligji parasheh dënime deri në 12 vjet burgim. Megjithatë, nga aktgjykimet nuk rezulton që të jetë shqiptuar asnjë dënim i tillë. /Albanian Post

Advertisement
Advertisement
Advertisement