Bassuenser: Polarizimi dhe gjuha e ashpër e pengojnë përparimin demokratik në Kosovë - Gazeta Express
string(123) "kriza-te-koordinuara-ne-veri-te-kosoves-dhe-republiken-srpska-paralajmerimi-i-bassuener-per-skenar-destabilizues-ne-ballkan"

Lajme

Gazeta Express

29/04/2026 13:15

Bassuenser: Polarizimi dhe gjuha e ashpër e pengojnë përparimin demokratik në Kosovë

Lajme

Gazeta Express

29/04/2026 13:15

Rreziku i destabilizimit në Ballkan mbetet i lartë, paralajmëron analisti i politikave ndërkombëtare Kurt Bassuener në një intervistë për Radio Kosovën, duke theksuar se rajoni po hyn në një fazë të re pasigurie të ndërlidhur me zhvillimet globale, dobësimin e unitetit transatlantik dhe krizat e brendshme politike.

Sipas tij, situata aktuale në Kosovë nuk është thjesht një krizë e përkohshme, por pjesë e një problemi më të thellë institucional. “Kjo situatë është tejzgjatur dhe duket si një episod në një ‘serial’ të gjatë politik,” thotë Bassuener, duke shtuar se fragmentimi politik ka penguar vazhdimisht funksionimin efektiv të institucioneve dhe qartësinë në vendimmarrje.

Ai paralajmëron se polarizimi politik po ndikon negativisht në zhvillimin demokratik. “Niveli i polarizimit dhe gjuha e ashpër… pengojnë përparimin demokratik në Kosovë,” thekson ai, duke vënë në dukje se kjo nuk është një dukuri e izoluar, por gjithsesi e rrezikshme për stabilitetin institucional.

Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme, Bassuener shprehet skeptik për mundësinë e zgjidhjes së krizës. “Nuk pres ndonjë ndryshim të madh… kjo do të nënkuptonte më shumë një zgjatje dhe rrjedhimisht thellim të krizës politike,” deklaron ai.

Në analizën e tij, ai kritikon edhe mënyrën si partitë politike i qasen reformave, duke theksuar se politika është bërë tepër e personalizuar dhe nuk i shërben interesit publik. “Normat dhe praktikat demokratike kërkojnë kohë për t’u ndërtuar, por nuk duhet shumë kohë që ato të dëmtohen rëndë,” paralajmëron ai.

Duke folur për dialogun Kosovë–Serbi, Bassuener e përshkruan procesin si të bllokuar. “Nuk shoh ndonjë lëvizje përpara në horizont… më duket si një rrugë pa krye,” thotë ai, duke argumentuar se problemi kryesor – njohja reciproke – është shmangur vazhdimisht. Sipas tij, “normalizimi shpesh përdoret si një mënyrë për të shmangur çështjen më të vështirë.”

Bassuener e sheh Ballkanin Perëndimor si një zonë ku krizat janë të ndërlidhura dhe potencialisht të koordinuara. “Mund të imagjinosh lehtësisht një skenar… në Republikën Srpska dhe në veri të Kosovës,” paralajmëron ai, duke shtuar se kjo mund të parandalohet vetëm me “parandalim të besueshëm”.

Ai gjithashtu vëren një rritje të regresit demokratik në rajon dhe kritikon qasjen e BE-së ndaj qeverive. “Ata gjithmonë kanë supozuar se qeveritë janë partnerët e tyre… por qeveritë mund të bllokohen,” thotë ai, duke sugjeruar që më shumë fokus duhet t’u kushtohet qytetarëve dhe vlerave demokratike. /RTK

Advertisement
Advertisement
Advertisement