Seanca për zgjedhjen e Presidentit, e cila nisi mbrëmë dhe vazhdoi e u ndërpre edhe dy herë sot, është caktuar të vazhdojë sërish në orën 19:00.
Kryeministri Albin Kurti nuk iu përgjigj pyetjes së gazetares Leonita Bajrami se si do të vazhdojë seanca sonte, me vetëm 64 deputetë në sallë, sa ishin mbrëmë dhe sot në dy raste.
“Si po prisni ta vazhdoni seancën për zgjedhjen e Presidentit, kur jemi duke parë që janë 64 deputetë maksimumi në sallë?”, ishte pyetja e gazetares në një konferencë për media të thirrur nga shefi i Qeverisë.
Gazetarët ishin të interesuar të bënin edhe më shumë pyetje, ndërsa Kurti e la sallën e konferencave për media.
Me Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën si kandidate për Presidente, LVV-ja nisi e vetme mbrëmë seancën për zgjedhjen e Presidentit, duke zhvilluar një votim, pavarësisht se në sallë nuk ishin 80 deputetë. Kjo, nga njohës të Kushtetutës dhe organizata joqeveritare që merren me drejtësinë, u konsiderua si cenim i rendit kushtetues të vendit.
Deputetët e pushtetit u mblodhën sërish sot në Kuvend për rundin e dytë të votimit për President.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu i ftoi deputetët e opozitës që të marrin pjesë në seancë, pasi sipas saj, ata janë të obliguar të votojnë dhe të mundësojnë zgjedhjen e Presidentit.
Në vazhdimin e seancës sot paradite, ajo fillimisht u dha afat deputetëve opozitarë deri në orën 14:00 që të merrnin pjesë në seancë.
Edhe në vazhdimin tjetër pasdite, Haxhiu përmendi “obligimin” që tha se e kanë deputetët për ta mundësuar zgjedhjen e Presidentit. Seanca u ndërpre për herë të tretë dhe vazhdimi i saj u caktua për në orën 19:00.
Haxhiu e interpreton ndryshe një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, të nxjerrur pasi ajo e kishte pyetur për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit që kishte nisur mbrëmjen e 5 marsit, duke pretenduar se deputetët ishin të detyruar të marrin pjesë dhe të votonin.
Në fund të marsit, kur Gjykata Kushtetuese vendosi që deputetët të kenë edhe një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e Presidentit – meqenëse Kuvendi nuk i kishte pasur në dispozicion 60 ditët prej kur duhej të fillonte procedura e deri në ditën kur duhej të përfundonte (30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual) – tha se deputetët s’mund të detyrohen dhe se është “tërësisht në vullnetin” e tyre se çfarë ata konsiderojnë se është “në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës”.
“Së dyti dhe në lidhje mandatin dhe ushtrimin e funksionit të deputetit, Gjykata rikujton që Kushtetuta në nenin 70 [Mandati i Deputetëve] përcakton që deputetët si përfaqësues të zgjedhur të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues, si dhe ka përcaktuar në mënyrë specifike bazat për përfundimin apo humbjen e statusit të deputetit. Po ashtu, bazuar në nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës, deputetët marrin përgjegjësinë që mandatin përfaqësues ta ushtrojnë në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në përputhje me kërkesat formale të përcaktuara në Kushtetutë, ligje dhe rregulloren e Kuvendit (shih, rastin KO124/25, cituar më lart, paragrafi 130 dhe 190). Sipas Gjykatës, se çka konsiderojnë deputetët se është në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës në aspekt politik dhe në aspekt të politikave publike, është tërësisht në vullnetin dhe vendimin e deputetëve të Kuvendit. Përderisa respektohet Kushtetuta, çdo zgjedhje e të zgjedhurve dhe njëkohësisht përfaqësuesve të popullit, duhet respektuar dhe Kushtetuta përcakton qartë, që deputetët nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues (shih, rastin KO72/20, cituar më lart, paragrafi 357 dhe rastin KO124/25, cituar më lart, paragrafi 181)”, thuhet në pikën 175 të atij aktgjykimi.
Nëse Presidenti nuk zgjidhet deri sonte në mesnatë, Kosova do të duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.