Kryeministri Albin Kurti tha se nuk e dinë me saktësi nëse ka qenë dje apo është sot afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit.
Kësisoj, ai tha se duhej të nguteshin për t’i propozuar Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën për Presidente.
“Ne nuk e kishim të qartë edhe saktësisht cila ditë është afati i fundit, të them të drejtën, sepse nuk janë të gjithë juristët dhe qytetarët të një mendimi që ora 24 sonte është afati i fundit, e nuk ka qenë mbrëmë. Nuk e dimë. Tash, shumica dërrmuese mendojnë që e kemi sonte, por jo të gjithë. Andaj ne duhej që sa më shpejt të vepronim”, tha Kurti në një konferencë për media.
Kurti tha se mbrëmë rreth orës 21:00, kur niste seanca për zgjedhjen e Presidentit, u shkroi kryetarëve të PDK-së dhe LDK-së.
“Por unë e di që rreth orës 21:00, i kam shkruar edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, edhe kryetarit të LDK-së, por nuk kam marrë përgjigje”, tha ai.