“Një popull s’i nënshtrohet një njeriu": Kur ish-revolucionari bëhet autokrat - Gazeta Express
string(73) "nje-popull-si-nenshtrohet-nje-njeriu-kur-ish-revolucionari-behet-autokrat"

OP/ED

Gazeta Express

28/04/2026 14:55

“Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”: Kur ish-revolucionari bëhet autokrat

OP/ED

Gazeta Express

28/04/2026 14:55

Shkruan: Adri Nurellari

Kosova po përballet sërish me të njëjtin model politik manipulativ të Albin Kurtit, i cili prodhimin e krizës e ka teknikë pushteti sepse e ka përdorur rregullisht si mjet për të ruajtur dhe zgjeruar sundimin. Duke dashur të kontrollojë kalendarin zgjedhor, vitin e kaluar ai organizoi disa seanca parlamentare e vendime të kontestuara ligjërisht, me vetëdije të plotë se çështjet do të përfundonin në Gjykatën Kushtetuese. Qëllimi vjet ishte të fitohej kohë dhe të shtyheshin zgjedhjet. Ia doli, u zvarritën dhe më në fund  u çuan më 28 dhjetor kur atij i leverdiste më së shumti.

Skema është tashmë lehtësisht e lexueshme edhe për veprimet e djeshme. Krijohet konflikt procedural, prodhohet përplasje juridike, çështja kalon në Gjykatën Kushtetuese, koha konsumohet dhe kalendari zgjedhor spostohet më vonë nga data 7 qershor, kur do të duhej të mbaheshin zgjedhjet. Kësisoj jemi dëshmitarë të rishfaqes së të njëjtit mekanizëm manipulativ, duke ndërmarrë hapa me kosto të parashikueshme kushtetuese, duke e shtyrë opozitën drejt ankesës ligjore dhe duke futur procesin në një tjetër cikël vonesash. Efekti praktik është zhvendosja e zgjedhjeve drejt një periudhe më të favorshme për interesin elektoral të pushtetit personal të Kurtit.

Sikurse u vet-denoncua edhe ish-presidentja Vjosa Osmani, data e zgjedhjeve nuk është aspak çështje neutrale administrative por skemë manipulimi elektoral. Data e përzgjedhur me kujdes përcakton nivelin e pjesëmarrjes dhe strukturën e trupës votuese. Në periudhën e verës duke nisur nga korriku diaspora hyn masivisht në Kosovë, ndërsa shumë qytetarë rezidentë largohen për pushime ose vizita familjare jashtë vendit (duke nisur nga mesi i qershorit kur fillojnë pushimet e fëmijëve të tyre).

Kjo ndryshon peshën relative të segmenteve elektorale dhe krijon terren të ri politik, sikurse u pa tek dallimi mes zgjedhjeve të 9 shkurtit me ato të 28 dhjetorit kur Kurti e thelloi rezultatin. Aq më tepër kur diferenca mes elektorateve është e qartë, rreth 40% mbështetje te banorët e përhershëm dhe 60% te diaspora, pra mbi 20% diferencë. Poashtu exit poll i UBO Consulting tregoi se 4.5% e atyre që votuan në Kosovë në 9 shkurt 2025 kishin ardhur nga diaspora ndërsa në 28 dhjetor mërgimtarët përbënin 15,5% të të anketuarve. Banorët e përhershëm kërkojnë rezultate konkrete, shërbime funksionale dhe janë lodhur nga krizat, dështimet e skandalet, ndërsa diaspora shpesh ushqehet më shumë me retorikë identitare e dogmatike dhe ka prirje të mbështesë figura populiste, një fenomen i njohur edhe në rajon ku vota e jashtme ka favorizuar shpesh liderë si Orbani, Vuçiçi, Tuxhmani apo Gruevski.

Pra caktimi i datës është një inxhinieri elektorale e qëllimshme që përbën një nivel të ri të degradimit të standardit politik dhe kulturës demokratike. Studiuesit e përmendin shpesh që forma më e pandershme, cinike dhe vulgare e ushtrimit të pushtetit është përdorimi i institucioneve jo për të qeverisur, por për të manipuluar rrethanat e garës duke synuar ruajtjen dhe shtimin e kontrollit. Levitski dhe Daniel Ziblatt, autorë të librit “Si Vdesin Demokracitë”, theksojnë se “demokracitë moderne rrallë bien me tanke; ato dëmtohen gradualisht nga liderë të zgjedhur që gërryejnë institucionet nga brenda”. Francis Fukuyama nga ana tjetër ka paralajmëruar se rënia politike nis atëherë kur institucionet pushojnë së shërbyeri interesit publik dhe kapen nga interesa personale ose partiake. Kur administrata, parlamenti, presidenca dhe ritmi kushtetues trajtohen si mjete taktike, shteti fillon të dobësohet ndjeshëm nga brenda ndonëse vazhdon ta mbajë pamjen formale të normalitetit. Pikërisht ky është rreziku kur procedurat përdoren si armë politike dhe shteti vihet në shërbim të një njeriu.

Dhe posaçërisht këtu zbulohet thelbi i fenomenit Kurti, rrëshqitja graduale drejt nivelit më të ulët të politikës. Një njeri që e kërkoi pushtetin duke premtuar standarde të reja dhe po përfundon duke përdorur truket më të vjetra të Ballkanit. Erdhi në qeverisje para 7 vjetësh si udhëheqës anti-sistem ndërsa po përfundon si kopja më e rëndomtë e tij. Ironia më therëse e politikës kosovare është se njeriu që më 29 shtator 2018 mobilizonte turmat me thirrjen “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu” kundër Thaçit, sot është bërë vetë ai njeri që kërkon nënshtrimin e institucioneve ndaj vullnetit të tij. Albin Kurti dikur luftonte kultin e individit sot po e ushqen atë.

Më absurdja është se Kurti tashmë ka pushtet tejet të madh sikurse nuk e ka pasur ndonjëherë as Thaçi e as Rugova. Ka poste, vota, kontroll, ndikim dhe kapital politik si asnjë lider politik tjetër që nga epoka e Titos. Por duket se nuk di çfarë të bëjë me to, përveçse të kërkojë edhe më shumë. Në vend që këtë fuqi ta kthente në reforma, zhvillim ekonomik dhe forcim shteti; i gjithë obsesioni i tij duket të jetë vetëm zgjerimi i hegjemonisë politike. Pushteti trajtohet si qëllim në vetvete, jo si instrument për vepra. Pra Kurti kërkon më shumë pushtet për hir të pushtetit, pa vizion, pa projekt dhe pa rezultat.

Prandaj, është trishtuese ta shohësh Kosovën të katandiset në këtë nivel. Një vend që ka paguar aq shtrenjtë për liri, pavarësi, demokraci dhe pluralizëm nuk meriton të reduktohet në skena manovrash procedurale, kalkulimesh elektorale dhe etjes së një njeriu për dominim. Historia na ka mësuar se regjimet që vendosin veten mbi ligjin dhe interesin nacional, herët a vonë, shemben nën peshën e gabimeve të veta. Por pyetja që mbetet është: sa do të jetë kostoja që do të paguajë ky popull derisa të kuptohet se liria në 1999 nuk u fitua për t’a zëvendësuar me një tjetër formë nënshtrimi?

Advertisement
Advertisement
Advertisement