Reagime të ashpra pati mbrëmë pas seancës së Kuvendit të Kosovës, ku tentativa e Lëvizjes Vetëvendosje për të proceduar me zgjedhjen e presidentit me vetëm 64 deputetë në sallë nxiti akuza për shkelje kushtetuese dhe cenim të rendit juridik.
Një nga reagimet më të forta erdhi nga drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, i cili zhvillimet i cilësoi si sulm të drejtpërdrejtë mbi rendin juridik të Republikës së Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, ai e quajti situatën e krijuar “grusht kushtetues”.
“Kjo çfarë po ndodh sonte në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka emër dhe mbiemër: Grusht kushtetues!”, ka shkruar Peci.
Reagim pati edhe nga hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, i cili vlerësoi se votimi pa praninë e së paku 80 deputetëve përbën shkelje të pastër kushtetuese. Sipas tij, edhe vetë mbajtja e raundit të votimit pa verifikimin e pjesëmarrjes së të paktën 80 deputetëve bie ndesh me standardet kushtetuese dhe praktikën e deritanishme.
“Edhe vetë mbajtja e raundit të votimit, pa praninë e së paku 80 deputetëve – e cila është dashur të verifikohet përmes votimit për pjesëmarrje – përbën shkelje të pastër kushtetuese”, ka shkruar Cakolli.
Ai paralajmëroi gjithashtu se çdo përpjekje për të vazhduar me raunde të tjera pa përmbushjen e kuorumit kushtetues cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe ish-deputeti Ilir Deda, i cili theksoi se nuk mund të ketë raund të parë të zgjedhjes së presidentit pa pjesëmarrjen e 80 deputetëve.
“Kështu ndodhi sonte në Kuvendin e Kosovës, ku Albulena Haxhiu lejoi votim përkundër se nuk ishin 80 deputetë në sallë. Nuk ekziston raundi i parë i zgjedhjes së presidentit pa pjesëmarrje të 80 deputetëve në votim. Procedimi me votim pa 80 deputetë është shkelje e Nenit 86 të Kushtetutës – këtë e dimë që nga viti 2011”, ka deklaruar Deda.
Ndërkaq, analisti Agon Maliqi e ka parë situatën në një këndvështrim krahasues politik. Ai ka ngritur pyetjen se si do të reagonte Albin Kurti nëse një veprim i tillë do të ishte ndërmarrë vite më parë nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa.
“Po kthehem prapa nja 10 vjet dhe po e paramendoj skenarin ku Thaçi dhe Mustafa – të cilët asokohe bashkë i kishin 55% të votave – brenda javës organizojnë seancë jashtë kornizave të kushtetutës për të zgjedhur president. Si mendoni se do ta quante këtë skenar Kurti i para dhjetë viteve, dhe pse pikërisht grusht shteti?”, ka thënë Maliqi.