Sulmet me avionë dhe dronë pakistanezë në provincën lindore afgane të Kunarit kanë vrarë të paktën shtatë persona dhe kanë plagosur 75 të tjerë, midis të cilëve studentë dhe një profesor në Universitetin Kunar, i kanë thënë BBC-së burime të shumta.
Sipas qeverisë talebane, 30 nga të plagosurit janë studentë universiteti.
Ministria e informacionit e Pakistanit mohoi sulmin ndaj universitetit dhe zonave të banimit, duke thënë se raportet ishin të rreme, ka raportuar BBC, transmeton Gazeta Express.
Raportet për sulmet në Kunar vijnë disa javë pas një sulmi ajror pakistanez në një qendër rehabilitimi nga droga në kryeqytetin afgan, Kabul, i cili, sipas OKB-së, tani dihet se ka vrarë 269 persona.
Një profesor që jepte mësim në Universitetin Kunar i tha BBC-së se kishte dëgjuar shpërthime të tmerrshme në të gjithë kampusin universitar.
Një deklaratë nga ministria e arsimit të lartë e Afganistanit tha se ndërtesat dhe mjediset përreth universitetit kishin pësuar dëme të mëdha.
Qindra njerëz janë vrarë ose plagosur në luftimet ndërkufitare midis Pakistanit dhe Afganistanit në muajt e fundit.