Enzo Fernandezi shënoi me kokë në pjesën e parë për t’i siguruar Chelseat një vend në finalen e FA Cup, ku do të përballet me Manchester Cityn.
“Blutë” mposhtën Leeds Unitedin 1-0 në “Wembley”, duke fituar gjysmëfinalen e 13-të në 16 paraqitjet e fundit në këtë kompeticion.
Kjo ishte ndeshja e parë e Chelseat pas shkarkimit të trajnerit Liam Rosenior të mërkurën, pas një serie prej shtatë humbjesh në tetë ndeshje.
Trajneri i përkohshëm Calum McFarlane mori drejtimin dhe pa një nisje pozitive nga skuadra, edhe pse rasti i parë i madh i takoi Leedsit në minutën e 15-të, kur Robert Sanchezi ndali Brenden Aaronsonin në një përballje një-me-një.
Golashënuesi më i mirë i Chelseat, Joao Pedro (19 gola), u rikthye nga dëmtimi dhe ishte shumë pranë golit kur goditi shtyllën.
Megjithatë, “Blutë” i dhanë fund serisë pa gola në minutën e 23-të, kur Pedro Neto asistoi për Fernándezin, i cili realizoi golin e tij të 13-të sezonal në të gjitha garat.
Leedsi, që luante gjysmëfinalen e parë të FA Cup që nga viti 1987, nuk arriti të reagojë si duhet në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, trajneri Daniel Farke bëri ndryshime, duke futur Anton Stachun dhe Joe Rodonin.
Stachu ishte pranë golit menjëherë, por Sánchezi reagoi mirë.
Leedsi u bë më kërcënues, me Dominic Calvert-Lewinin që rrezikoi me kokë, por barazimi nuk erdhi.
Kjo ishte humbja e tretë radhazi 1-0 për Leedsin në “Wembleyn” e ri, dhe pritja për një finale të parë të FA Cup që nga viti 1973 vazhdon.
Ndërkohë, Chelsea – fitues tetë herë i këtij kompeticioni – ka shansin të shpëtojë sezonin duke fituar një trofe në finalen e 16 majit, duke mbetur gjithashtu i pamposhtur ndaj Leedsit në këtë turne (7 fitore, 3 barazime)./GazetaExpress/