Hashtagu ‘alpine divorce’ ka shpërthyer në platformat e rrjeteve sociale si TikTok dhe Instagram në muajt e fundit, me shumë gra që ndajnë përvoja traumatike, ndonjëherë kërcënuese për jetën, shkruan CNN.
Termi përdoret për të përshkruar një ngjarje gjatë një ecjeje ose aventure tjetër në natyrë, kur njëri partner, zakonisht mashkull, e braktis tjetrin, që zakonisht është më pak me përvojë dhe më i cenueshëm, në një mjedis të largët dhe potencialisht të rrezikshëm.
Diskutimi është nxitur pjesërisht nga një rast në Austri më herët këtë vit, ku një alpinist u shpall fajtor për vrasje nga pakujdesia dhe mori një dënim me kusht pasi e la të dashurën e tij vetëm në malin Grossglockner, më i larti në vend, duke pretenduar se ka shkuar për të kërkuar ndihmë. Ajo vdiq nga të ftohtit.
Prokurorët e akuzuan burrin, i identifikuar si Thomas P., se nuk u përgjigjej thirrjeve nga shërbimet e shpëtimit pavarësisht se kishte sinjal telefoni dhe se nuk dërgoi sinjale ndihme në kohë. Gjatë gjyqit të tij, një ish-e dashur dëshmoi se ai e kishte braktisur edhe atë në të njëjtin mal në vitin 2023 sepse e konsideronte shumë të ngadaltë, raportoi gazeta gjermane Bild. Ai prirej të bëhej “nervoz” nëse ajo kishte vështirësi gjatë një ecjeje, i tha ajo gjykatës gjatë dëshmisë së saj.
Gjatë gjyqit, gratë po ndanin historitë e tyre personale në internet. “POV: shkon për ecje me të në male, por ai të lë vetëm dhe e kupton se në të vërtetë nuk të ka pëlqyer kurrë”, shkroi një grua në një video në TikTok që e tregon atë vetëm në një shteg të izoluar malor dhe që ka grumbulluar gati 5 milionë shikime.
Në një postim në X, një tjetër grua ndau një video duke ecur vetëm në natyrë të egër, duke shkruar: “Kjo është një video e imja duke ecur në Highlands skoceze duke u përpjekur të nxjerr më të mirën nga udhëtimi im ndërsa djali me të cilin isha në një marrëdhënie të paqartë ishte milje përpara meje”, Klipi ka 1.9 milionë shikime.
I krijuar në një tregim të shkurtër të vitit 1893 nga shkrimtari skocez-kanadez Robert Barr për një burrë që planifikon ta vrasë gruan e tij në Alpet zvicerane, ‘alpine divorce’ nuk është term ligjërisht apo zyrtarisht i njohur. Megjithatë, psikologia e sjelljes dhe trajnuesja e marrëdhënieve Jo Hemmings i tha CNN-it se dinamikat e marrëdhënies pas tij janë të identifikueshme.
Sipas Hemmings, autorët zakonisht janë persona me stil lidhjeje shmangëse, të cilët distancohen emocionalisht dhe fizikisht nga të tjerët kur janë nën stres në vend që të përballen me shkakun.
“Ata ka të ngjarë të kenë mungesë empatie dhe dhembshurie dhe ta shmangin konfliktin – duke preferuar të largohen”, tha ajo. “Unë e shoh këtë lloj sjelljeje shpesh në seancat e mia të këshillimit – një partner, më së shpeshti një burrë me një partnere femër, që tërhiqet kur përballet me pyetje, ose madje mund të largohet nga dhoma apo të heqë dorë krejtësisht nga këshillimi”.
Ndërsa ‘divorci alpin’ mund të mos jetë një përvojë e zakonshme, Hemmings beson se koncepti themelor do të jetë i njohur për shumë gra. “Jo për shkak të mjedisit malor, por sepse tërheqja emocionale apo edhe braktisja brenda një marrëdhënieje është relativisht e zakonshme”.
Megjithatë, një mjedis malor i shton një dimension tjetër këtij modeli sjelljeje, duke e bërë atë potencialisht të rrezikshëm. Aktivitete të tilla në natyrë krijojnë një hierarki të menjëhershme; kush udhëheq, kush orienton dhe kush vendos ritmin.
“Të ecësh përpara dhe të refuzosh të përshtatesh mund të jetë një mënyrë e fshehtë për të pohuar autoritetin ose kontrollin”, tha Hemmings.