Emisioni hulumtues me titull “Kalimi i dyshimtë i pronës për shumëkatëshin e vëllait të kryetarit në Viti”, zbuloi një proces të dyshimtë të ndryshimit të kufijve të disa parcelave, përfshirë edhe pronën publike në Viti.
Bashkimi i pronës publike në rrugën “UÇK” në këtë komunë, me atë private i ka hapur rrugë ndërtimit të një kompleksi shumëkatësh, që tashmë është realizuar nga Nexhmedin Haliti, vëllai i kryetarit të komunës, Sokol Haliti.
Zyrtari i gjeodezisë Feat Shaqiri, i cili ka kontrolluar kërkesën e parashtruar, tha se ai ka rishikuar vetëm pjesën teknike dhe jo atë juridike.
“Dëgjo zonjë, unë jam gjeodet zyrtar dhe unë as në këtë rast e as në asnjë rast nuk lidhna me kurgjë, thjeshtë veç i bëj regjistrimin e lëndëve, si çdo lëndë tjetër (nuk kuptohet) edhe ka ardhë në Kadastër dhe është procedu si çdo lëndë tjetër” tha Shaqiri.
Tutje, gjeodeti i komunës Feat Shaqiri, tha se për këtë çështje është marrë në pyetje edhe nga Prokuroria Speciale.
“Gazetarja: Po zyrtarët e kadastrit kanë thënë se ju kanë pyetë juve se “a ka diçka gabim në këtë dhe a duhet që me u anulu ky vendim”, porse sipas tyre ju keni thënë që gjithçka është në rregull edhe që procedura është ashtu siç bëhet për të gjitha, a mendoni se procedura ka qenë e bazume në ligje?
Shaqiri: Unë kam qenë edhe në Prokurori kam dhënë përgjigje dhe nuk e di tash sa është nevoja me ju përgjigj këtyre pyetjeve. Unë vetëm aspektin teknik e kam shqyrtu si lëndë edhe ka qenë në rregull, në aspektin juridik nuk e kam”.
Zyrtari Hoxha, ndonëse ka nënshkruar vendimin, në të cilin është aprovuar kërkesa, përgjegjësinë për nxjerrjen e tij e hedh tek gjeodeti.
Për këtë pretendim të Hoxhës, gjeodeti Shaqiri, nuk u përgjigj.
“Faleminderit shumë. Kam dhënë përgjigje në Prokurori për këtë farë pune. Përgjigjet më konkretisht mundeni me shku me i marr në Prokurori nëse ja japin”, tha Shaqiri.
Përveç gjeodetit të komunës, lënda paraprakisht përgaditet nga gjeodeti privat.
Në këtë lëndë, gjeodeti privat i angazhuar për të bërë matjet, përcaktimin dhe dokumentimin e territorit ishte Arian Lubishtani.
Ai nuk pranoi intervistë, por kërkoi që pyetjet t’i dërgoheshin me shkrim. Deri në publikimin e emisionit Lubishtani, nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara.
Për më shumë, ndiqeni hulumtimin “Kalimi i dyshimtë i pronës për shumëkatëshin e vëllait të kryetarit në Viti”, i cili transmetohet në Betimi për Drejtësi, T7dhe Gazeta Express