Hoffenheim ka rikthyer fuqishëm garën për kualifikim në Ligën e Kampionëve, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi në Bundesliga pas suksesit 2-1 në transfertë ndaj Hamburgerit.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, por Hoffenheimi mori kontrollin dhe kaloi në avantazh në minutën e 20-të.
Vladimir Coufal mbajti topin në lojë në mënyrë spektakolare dhe shërbeu për Fisnik Asllani, i cili shënoi me goditje të saktë.
Ky ishte goli i dhjetë i Fisnik Asllanit sivjet në Bundesliga, derisa ka edhe gjashtë asistime.
Hamburgu reagoi dhe barazoi pas një gabimi të Ozan Kabak, kur Robert Glatzel u rrëzua në zonë nga portieri Oliver Baumann dhe më pas realizoi penalltinë.
Megjithatë, para pushimit, Tim Lemperle riktheu avantazhin për Hoffenheimin pas një aksioni të çrregullt në zonë, duke përfituar nga një top i kthyer pas goditjes së Albian Hajdarit.
Në pjesën e dytë, Hamburgu shtoi presionin, me Ransford Konigsdorffer dhe Bakery Jatta që humbën raste të mira për barazim.
Fabio Vieira shërbeu një krosim të mirë, por Jatta nuk arriti të finalizonte.
Hoffenheimi, nën drejtimin e Christian Ilzer, po kalon nga një skuadër që luftonte për mbijetesë në një pretendente për Champions, duke e bërë fundin e sezonit shumë interesant në garën për vendin e katërt.
Ndërkohë, Hamburgu mbetet i rrezikuar pas një serie prej gjashtë ndeshjesh pa fitore, megjithëse ende ka një avantazh prej pesë pikësh ndaj zonës së “play-offit” për rënie.
Hoffenheimi momentalisht ka 57 pikë në vendin e katërt, me një pikë më shumë se Stuttgarti që është në vendin e pestë, me një ndeshje më pak./GazetaExpfress/