Venera Ramaj, zyrtare e lartë për sundimin e ligjit nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, në emisionin “Tempus”, tha se Kosova mund të mësojë nga gabimet e vendeve të rajonit në procesin e integrimit evropian.
Ajo theksoi se sfidat me të cilat përballet Kosova në grupkapitujt e ndryshëm nuk janë të reja dhe janë hasur edhe nga vendet që kanë kaluar ose janë më të avancuara në këtë proces.
“Problemet me të cilat Kosova ballafaqohet në çdo grupkapitull, jo vetëm në grupkapitullin e parë, nuk janë diçka me të cilat vendet tjera nuk janë përballur”, tha Ramaj.
Sipas saj, vende si Kroacia, Shqipëria dhe Mali i Zi janë përballur me sfida të ngjashme në rrugën drejt BE-së.
Ajo ngriti çështjen se Kosova nuk duhet t’i përsërisë gabimet e njëjta të vendeve të rajonit.
“Pse duhet Kosova me i përsëritë gabimet e njëjta, për shembull që i ka bërë Shqipëria apo Mali i Zi”, tha ajo.
Ramaj theksoi se shpejtësia e integrimit nuk matet me afate kohore, por me përmbushjen e reformave.
Ajo shtoi se çështje si integriteti dhe performanca e sistemit të drejtësisë janë sfida kyçe që janë diskutuar edhe në vende të tjera dhe janë të pranishme edhe në Kosovë, duke theksuar nevojën për mësim nga përvojat e rajonit.