Edmir Sejdiu, U.D. drejtor i Departamentit për Reformën në Administratën Publike në MAPD, në emisionin “Tempus” në T7, tha se tradita administrative është një nga sfidat kryesore në zbatimin e reformave në praktikë.
Ai theksoi se Kosova është ndër vendet me më së paku traditë administrative në Ballkanin Perëndimor.
“Është tradita administrative që shtetet e kanë. Pra, Kosova është i vetmi shtet që ka më së paku traditë administrative nga krejt këto vendet e Ballkanit Perëndimor, përjashto Shqipërinë”, tha Sejdiu.
Sipas tij, kjo lidhet me të kaluarën e Kosovës në kuadër të ish-Federatës Jugosllave, ku si krahinë autonome nuk kishte mandat të plotë vetëqeverisës.
“Edhe duke qenë pjesë e Federatës Jugosllave, si krahinë autonome nuk ke pas mandat vetëqeverisës në krahasim me republikat tjera”, tha ai.
Ai shtoi se republikat si Kroacia dhe Sllovenia kishin një nivel të caktuar të qeverisjes së brendshme, gjë që Kosovës i ka munguar.
“Republikat e tjera, si Kroacia apo Sllovenia, në atë periudhë kanë pasur një nivel minimal të qeverisjes së brendshme, ndërsa ne e kemi pas të pamundur një çështje të tillë”, tha Sejdiu.